Arbëri

Komuna e Rahovecit mbështet financiarisht tri OJQ dhe një Shoqatë

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi ka pritur sot në takim drejtuesit e OJQ-ve dhe Shoqatave të cilët kanë përfituar nga thirrja publike për shpërndarjen e subvencioneve të përgatitur nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe bazuar në rregulloren Komunale për ndarjen e subvencioneve gjatë këtij takimi janë nënshkruar marrëveshjet me secilin përfitues.

Vehapi pas nënshkrimit të marrëveshjeve me drejtuesit e OJQ-ve dhe Shoqatës i ka uruar ata për punën të cilën e bëjnë në vazhdimësi dhe i ka premtuar se edhe në të ardhmen do të kenë përkrahjen e institucioneve Komunale, “pasi që ju kryesisht ofroni shërbime sociale dhe familjare dhe keni nevojë që të keni përkrahje të vazhdueshme”.

Sipas komunikatës së Komunës së Rahovecit, drejtuesit e OJQ-ve dhe Shoqatës e kanë falënderuar Vehapin për përkujdesjen e tij të treguar dhe mbështetjen e dhënë sa herë që kanë pasur nevojë për realizimin e projekteve të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e aktiviteteve avokuese, këshilluese dhe ofrimin e drejtpërdrejt të shërbimeve sociale dhe familjare.

Të drejtë aplikimi bazuar në thirrjen publike kanë pasur të gjitha OJQ-të dhe Shoqatat të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. OJQ-të të cilat kanë përfituar mjete financiare nga kjo thirrje publike janë: Shoqata e pavarur e gruas “Hareja” me 1700 euro, OJQ “Humaniteti” me 1000 euro, OJQ ShL-Kosova me 1600 euro dhe OJQ “Handikos” me 1000 euro. Me mjete financiare, Komuna e Rahovecit nga buxheti i saj i ka ndihmuar OJQ-të dhe Shoqatat edhe në të kaluarën.