Gjilani do të hapë rrugët në “Livadhet e Arapit”

Gjilani do të hapë rrugët në “Livadhet e Arapit”

11 tetor 2017 15:32

Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë e Komunës së Gjilanit, ka mbajtur sot takimin informues me pronarët e parcelave në Zonën me Planifikim Urbaniztik “Livadhet e Arapit”, të cilët janë informuar për zhvillimin dhe ndërtimin e lagjes së re dhe modern në këtë pjesë të qytetit.

Drejtori i kësaj drejtorie, Sadudin Berisha, ka thënë se qëllimi i këtij takimi është informimi me veprimet tjera juridike dhe zhvillimore që do të ndërmarr Komuna e Gjilanit me hapjen e rrugëve për interesin publik dhe shpronësimin e parcelave private, në këtë pjesë dhe zhvillimit të saj.

“Si hap i parë si drejtori do të bëjmë shpërndarjen e vendimeve individuale për shpronësimin e parcelave në fjalë dhe më pas sipas planifikimeve gjatë këtij viti do të niset me hapjen e rrugëve në bazë të Planit Rregullues Urban për këtë zonë. Kjo e gjitha është në bazë të përcaktimit të kryetarit të Komunës Lutfi Haziri, që të bëhen krejtësisht funksionale rrugët dhe infrastruktura publike në tri zona të planifikuara si në “Livadhet e Arapit”, të kryer tashmë pjesën e “Fidanishtes” dhe zonën në kampin “Monteith”. Falënderojmë gjithashtu gatishmërinë tuaj të ofruar për bashkëpunim në interesin publik. Të gjithë të interesuarit për parcelat e tyre, mund të ofrohen në zyrat e drejtorisë që të marrin informacione shtesë dhe detajet rreth planit apo parcelave individuale”, ka thënë mes tjerash drejtori Berisha.

Të pranishmit e shumtë të cilët kanë marrë pjesë në këtë takim, kanë ofruar mbështetje për Komunën e Gjilanit, derisa kanë kërkuar që kjo të ndodh sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që të zyrtarizohen rrugët fillimisht e më pas edhe të jetë i mundshme shfrytëzimi i parcelave private të cilat përmes planit kanë zgjidhje urbaniztike, mirëpo në terren janë ende parcela që nuk kanë infrastrukturë.

Ndryshe, kjo zonë “Livadhet e Arapit” hapësirë e planifikuar është një sipërfaqe prej mbi 100 hektarësh, prej tyre 21 hektarë janë të planifikuara për shpronësim për nevoja të infrastrukturës rrugore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme