Bahtiri viziton HANDIKOS-in, njoftohet me problemet e tyre të shumta

Bahtiri viziton HANDIKOS-in, njoftohet me problemet e tyre të shumta

11 tetor 2017 15:13

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nda drejtori i Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe Integrime Evropiane, Qazim Nimani, ka vizituar OJQ HANDIKOS-in, ku për problemet e shoqatës ka biseduar me anëtarësinë e saj.

Drejtoresha e HANDIKOS-it, Myrvete Hasani e njoftoi Bahtirin me problemet e shumta që ka kjo organizatë dhe përpjekjet që ajo dhe stafi i saj po bëjnë për tejkalimin e tyre.

Ajo i tha Bahtirit se në HANDIKOS-in e Mitrovicës, janë të anëtarësuar 560 persona dhe që nga viti 1994, kur është themeluar, janë zhvilluar shumë aktivitete të ndryshme dhe janë realizuar projekte me rëndësi, por që fatkeqësisht, kanë mbetur akoma shumë probleme të pazgjidhura.

“Jemi njësia pothuaj e vetme në Kosovë e HANDIKOS-it që nuk kemi ndërtesën tonë dhe nuk kemi një fond të caktuar të mjeteve për të zgjidhur problemet e shumta të anëtarësisë. Hapësira në të cilën aktualisht veprojmë falë vullnetit tuaj që na e ka dhënë në shfrytëzim, siç po e shihni nuk i plotëson kushtet. Pastaj automjeti për ofrimin e shërbimeve për anëtarët e palëvizshëm nëpër fshatra, nuk është në gjendje të rregullt, ndërsa që na mungojnë edhe pajisje e gjëra të tjera elementare për të ushtruar veprimtarinë tonë normale në shërbim të anëtarësisë, që janë persona me aftësi të kufizuara”, i tha ndër të tjera kryetarit Bahtiri, drejtoresha Hasani.

Agim Bahtiri u tha anëtarëve të HANDIKOS-it që merrnin pjesë në takim, se ai dhe Komuna i kanë parasysh problemet e shumta me të cilat anëtarësia e HANDIKOS-it dhe personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen në jetën e përditshme.

“Ne vazhdimisht kemi bërë dhe po bëjmë përpjekje që të ju mbështesin në zgjidhjen e problemeve të shumta që juve ua vështirësojnë jetën. Fatkeqësisht, buxheti i pamjaftueshëm i Komunës dhe problemet tjera që i ka Komuna, nuk po lejojnë që të bëjmë më tepër për juve. Mirëpo, ju garantoj se ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona që përmes donatorëve të ndryshëm të bëjmë zgjidhjen e çështjes së hapësirës tuaj, pastaj punësimin e anëtarësisë dhe përmes Kuvendit të Komunës, edhe caktimin e një buxheti të përhershëm e më të madh për nevojat tuaja”, ju tha atyre Bahtiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme