Kryhen punimet në qendrën e dializës në Rahovec, shumë shpejtë aktivizimi i saj

Kryhen punimet në qendrën e dializës në Rahovec, shumë shpejtë aktivizimi i saj

11 tetor 2017 14:16

Gjatë ditës së sotme kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka pritur në takim në zyrën e tij drejtorin ekzekutiv të spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, të pranishëm në takim ishin edhe Munib Durguti, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Rexhep Hapqiu, shef i repartit të dializës dhe Ali Hoti, shef i repartit të sëmundjeve të brendshme në spitalin e Prizrenit.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se, “pas përfundimit të takimit, ku u bisedua për shëndetësinë në Komunën e Rahovecit me theks të veçantë për aktivizimin e qendrës së dializës, Vehapi dhe Avdaj e kanë vizituar qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare ”Fahredin Hoti”, ku e kanë parë nga afër puna e cila është bërë në adaptimin e objektit për qendër të dializës”.

Vehapi e ka falënderuar drejtorin Avdaj dhe stafin e tij për interesimin e treguar dhe ndihmën e vazhdueshme të dhënë për aktivizimin sa më të shpejtë të qendrës së dializës duke thënë se, “falë seriozitetit tonë dhe mbështetjes së tyre, ne jemi në fazën finale pasi që të gjitha punët janë kryer siç është adaptimi i objektit dhe vendosja e të gjitha aparaturave të nevojshme për aktivizimin e kësaj qendre të nevojshme për pacient të cilët janë në dializë”.

Ndërsa Avdaj ka thënë se, “ky projekt është i një rëndësie të madhe për pacientët të cilët janë në dializë dhe trajtimin e tyre e marrin në spitalin e Prizrenit”. Ai ka thënë se aparaturat-pajisjet, të cilat do të përdorën në këtë qendër të dializës janë nga më modernet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme