IPNO: KRU “Bifurkacioni” rekruton staf kundërligjshëm Foto: Ilustrim

IPNO: KRU “Bifurkacioni” rekruton staf kundërligjshëm

11 tetor 2017 11:35

Organizata INPO ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për mënyrën e përzgjedhjes së stafit të lartë në Ndërmarrjet Publike të Komunës së Ferizajt, të cilat vazhdojnë të jenë në shërbim të grupeve të caktuara dhe në kundërshtim me ligjin.

Kompania Rajonale e Ujit “Bifurkacioni” në Ferizaj, sipas INPO-së, në bazë të konkursit të saj të fundit, të datës 04.07.2017 për rekrutimin e pozitës “Zyrtar për Auditim të Brendshëm”, ka përzgjedhur kandidaten e cila nuk i ka plotësuar kriteret për pranim sipas kritereve të konkursit.

Për plotësimin e kësaj pozite, thotë INPO, kandidatët obligoheshin t’i plotësonin këto kritere: (i) Fakulteti Ekonomik, (ii) së paku 3 vjet përvojë pune në menaxhim financiar, (iii) të jetë auditor i licencuar ose kontabilist i çertifikuar, (iv) aftësi pune nën presion, (v) njohës i mirë i punës në kompjuter.

“Mirëpo, komisioni përgjegjës ka përzgjedhur që pozitën e auditorit të brendshëm në KRU “Bifurkacioni”, ta ushtrojë kandidatja, e cila nuk është as kontabiliste e certifikuar dhe as auditore e licencuar, në këtë mënyrë duke e përjashtuar pa të drejtë kandidaten tjetër, e cila i kishte plotësuar të gjitha kushtet sipas konkursit”, thotë kjo Organizatë.

Se është bërë shkelje ligjore dhe procedurale gjatë procesit të përzgjedhjes, sipas IPNO-së, e ka evidentuar edhe Inspektorati i Punës, i cili sjellë vendim se janë bërë shkelje të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili thekson se për këtë pozitë punëmarrësi duhet të jetë ekspert i certifikuar në kontabilitet.

Kohë më parë INPO-ja thotë të ketë reaguar edhe ndaj shkeljeve ligjore dhe procedurale që janë bërë në procesin e përzgjedhjes së stafit menaxhues në ndërmarrjen publike “Ambienti” dhe ka kërkuar që të ndërpriten këto praktika të cilat kontribuojnë në zhvillimin e korrupsionit dhe në rritjen e rrezikut angazhimin e personave jo meritor në pozita të caktuara.

“Pavarësisht kësaj, kjo praktikë e gabuar është duke vazhduar edhe më tutje, e cila ka ulur besimin e qytetarëve se përzgjedhja e punëmarrësit bëhet sipas meritës”, thotë INPO në reagimin e saj.

INPO kërkon nga Bordi i Drejtorëve të KRU “Bifurkacioni”, t`i ushtrojë kompetencat e rregulluara me ligj dhe të ndërmarrë veprimet e duhura për të zbatuar vendimin e Inspektoratit të punës. Gjithashtu, INPO fton të gjitha institucionet përgjegjëse përfshirë, komisionin e aksionarëve që të ndërmarrin veprime adekuate për të rivlerësuar procesin e rekrutimit dhe të garantojë kualitet profesional në ofrimin e shërbimeve për ndërmarrjen dhe qytetarët e Ferizajt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme