Ushtarët turq të KFOR-it rinovuan sallën e edukatës fizikë në shkollën “Çajupi”

Ushtarët turq të KFOR-it rinovuan sallën e edukatës fizikë në shkollën “Çajupi”

09 tetor 2017 16:47

Në Shkollën e Mesme të Ultë, Andon Zako-Çajupi, është bërë përurimi i sallës së rinovuar të edukatës fizike.

Në solemnitetin e organizuar për këtë rast kanë marrë pjesë Komandanti i Batalionit të ushtarëve turq të KFOR-it, Mustafa Ihsan Tavazar dhe nënkryetarët e Komunës, Faruk Mujka e Eroll Zekeria, si dhe mysafirë të tjerë.

Komandanti i ushtarëve turq të KFOR-it, Mustafa Ihsan Tavazar tha se ndjehet i lumtur që po merr pjesë në përurimin e objektit të rinovuar, që do t’u shërbejë nxënësve që të realizojnë programet e tyre nga kjo lëndë, por edhe aktivitete të tjera sportive, përkatësisht që për përveç zhvillimit mental të kenë kushte edhe për zhvillimin fizik.

“Turqia dhe populli i saj kanë ndihmuar vazhdimisht Kosovën që nga përfundimi i luftës e deri sot dhe do të vazhdojnë të ndihmojnë akoma. Kemi qenë dhe do të jemi afër qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Aktivitetet bamirëse të Turqisë kanë qenë të orientuara në radhë të parë mbështetja e edukimit e arsimit, pastaj mbështetja e sektorit të shëndetësisë dhe e treta, mbështetja në rregullimin e infrastrukturës rrugore e të ngjashme”, tha ai.

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, vlerësoi lartë mbështetjen e Turqisë dhe popullit të saj dhënë Mitrovicës dhe Kosovës, si para lufte për liri e pavarësi, ashtu edhe pas lufte për ndërtimin e shtetit dhe mirëqenien sociale të qytetarëve dhe në të gjitha fushat tjera të jetës.

Drejtoresha e shkollës Melihate Meha, ju tha mysafirëve se nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës janë të lumtur që po e bëjnë përurimin e sallës së rinovuar të edukatës fizike, që është donacion i popullit turk, por që është realizuar përmes ushtarëve turq që veprojnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

“Falë kësaj ndihme, por edhe ndihmave të vlefshme të mëparshme, që na kanë arritur nga populli mik turk dhe shteti i Turqisë, shkolla e jonë po bëhet gjithnjë e më e bukur, po krijohen kushte për mëim e punë më të mirë. Ne nxënësit dhe mësimdhënësit, por edhe prindërit e tyre, shqiptarë, turq, shkali etj, ju jemi shumë mirënjohës popullit e shtetit turk, përkatësisht TIKA-s dhe ushtarëve turq të KFOR-it”, tha ndër të tjera drejtoresha Meha.

Përveç renovimit të sallës, është ndërruar edhe dyshemeja, janë rregullua tërësisht tualetet e shkollës dhe janë siguruar pajisjet e nevojshme për edukatën fizike të nxënësve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme