Arbëri

Planin zhvillimor në Vushtrri nuk e voton PDK-ja, e kaloi e vetme opozita

Pushteti dhe opozita e Vushtrrisë u shtynë kohë të gjatë për Planin Zhvillimor për tetë vitet e ardhshme.

Por në fund, opozita e vetme arriti ta kalojë këtë plan, të cilin për një periudhë trevjeçare e mbajtën peng asamblistët e PDK-së, të cilët insistonin se një pjesë e zonës 8 duhet të jetë zonë e gjelbër e jo zonë ndërtimi, raporton KTV.

Fillimisht, kryesuesi i Kuvendit Komunal ia kujtoi kryetarit, i cili vjen nga partia e njëjtë, PDK, se në këtë plan u bënë ndryshime pa dijeninë e kuvendit.

Ai shtoi se askush nuk mund t’ia ndryshojë mendjen kundër këtij plani, pavarësish letrave kërcënuese që ka marrë.

Më pas, duke e vlerësuar këtë seancë si të kundërligjshme, kryesuesi bashkë me asamblistët e tjerë e braktisi sallën.

Udhëheqjen e seancës e mori anëtari më i vjetër, Muharrem Shabani, i cili e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë plan për Vushtrrinë.

Miratimin e planit e kanë mirëpritur bizneset, që paralajmërojnë së shpejti nisjen e punimeve në këtë pjesë.

Këtë plan që këtë zonë e lejon si zonë ndërtimi e kishte hartuar qeverisja lokale në krye me PDK-në. Por pasi në zonë bleu një pronë biznesi Emona Group, PDK-ja ndryshoi qëndrimin dhe kërkonte që zona të shpallej e gjelbër.

Opozita akuzoi PDK-në, se e ndryshoi planin për interesa të veta, derisa pronari i biznesit këtë e kishte cilësuar si shantazh ndaj tij.


Planin zhvillimor në Vushtrri nuk e voton PDK... by kohanet