Arbëri

Haziri: Shtatorja e Idriz Seferit po finalizohet, më 28 nëntor vendoset në qendër të Gjilanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se shtatorja e heroit të kombit, Idriz Seferi, është duke u skalitur në bronz dhe do të vendoset në qendër të qytetit më 28 nëntor, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Shtatorja e kolosit të shqiptarëve, Idriz Seferit, po skalitet në bronz dhe më 28 Nëntor do të vendoset përballë Agim Ramadanit. Ajo ka një lartësi prej 3.8 metra dhe është duke u finalizuar nga profesionistë të jashtëzakonshëm. 28 Nëntori i sivjetmë do të jetë festë e dyfishtë për gjilanasit dhe shqiptarët kudo”, ka thënë Haziri, transmeton Koha.net.

Ai ka ritheksuar se Komuna e Gjilanit vitin 2017 e ka shpallur vit të Idriz Seferit, për të cilin tha se ka bërë kryengritjen e madhe për ta bërë Shqipërinë.

“Vitin 2017 e kemi shpallur vit të Idriz Seferit, por atij i takojnë edhe dekadat sepse ka bërë Epope dhe kryengritje të madhe për ta bërë Shqipërinë. Edhe gjyshërit tanë kanë qenë bashkëluftëtarë të tij dhe të cilët janë dënuar bashkë me të dhe kanë vuajtur edhe okupimin e rëndë të luftërave të kohës dhe në fund kanë qenë edhe jesirë (rob), të burgosur dhe janë ndarë nga kjo jetë me mallin për Shqipërinë”, ka thënë Haziri.