Profilet e kandidatëve për kryetar të Shtimes

Profilet e kandidatëve për kryetar të Shtimes

07 tetor 2017 10:23
Image

Naim Ismajli

Prej tri mandatesh është kryetar i komunës së Shtimes, duke u futur për të katërtën herë në garë nën logon e PDK-së. Ismajli ka mbaruar studimet e doktorates në lëmin e Menaxhimit dhe Informatikës. Nga viti 2001 deri në fund të vitit 2007 ka punuar si kryeshef Ekzekutiv në Kuvendin Komunal në Shtime, mandej në vitin 2007 është zgjedhur për herë të parë kryetar komune dhe vazhdon ta mbajë deri tashti. Është kryetar i AKK-së (Asociacioni i Komunave të Kosovës) dhe njëherësh është edhe kryetar i NALAS-it (Asociacioni i Komunave të Evropës Juglindore). Ka punuar si profesor në Universitetin Publik të Prizrenit gjatë periudhës 2012-2013, ndërsa në Kolegjin AAB ka 5 vjet përvojë pune si profesor dhe ende vazhdon ta bëjë te njëjtën punë. Ai në programin qeverisës 2018- 2022 ka paraparë disa projekte kryesore për të cilat premton se mund t’i realizojë: zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe zhvillimi rural, pastaj arsimi , kultura dhe sporti, shëndetësia dhe mirëqenia sociale, ambienti, infrastruktura dhe rinia - zhvillimi i burimeve. Sipas tij, nëpërmjet këtyre fushave strategjike ka për qëllim përcaktimin e objektivave dhe hartimin e projekteve konkrete, të cilat ndërtojnë kapacitete ekonomike lokale, krijojnë klimën e përshtatshme, procedurat dhe politikat, të cilat mbështesin dhe promovojnë zhvillimin dhe rritjen e bizneseve vendore dhe hapin perspektivën për investime të huaja. “Komuna do të krijojë një partneritet real me përfaqësuesit e sektorit privat vendës për të zbatuar ndryshimet dhe për të siguruar se zëri i sektorit privat përfshin ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe mikrondërmarrjet”, ka thënë Ismajli. Ai është zotuar se do të kujdeset për një mjedis ndërkombëtar makroekonomik dhe regjim tregtar të favorshëm dhe rritjen e hyrjes së ndihmës për zhvillim dhe reformim të sistemit global të tregtisë për të siguruar mundësi të drejta (të ndershme) ekonomike ndaj prodhuesve. Ismajli ka prioritete esenciale edhe nxitjen e rritjes së shpejt në investimet private vendëse dhe identifikimi i potencialeve ekonomike në të gjitha fushat, duke favorizuar ato të cilat janë më të vlefshme në mënyrë që ta stimulojnë avancimin e tyre.

Image

Selim Shabani

Ka marrë mbështetjen e LDK-së për të kandiduar për kryetar të komunës së Shtimes. Ai ka lindur në fshatin Vojnoc të K o - munës së Shtimes, ka kryer studimet në Fakultetin Filozofik dega e Historisë në Prishtinë. Ka punuar në shkollën fillore “Përparimi” në Lloshkobare të Ferizajt si mësimdhënës i lëndës së Historisë, ndërkaq që nga viti 1990 deri në vitin 1998 ka punuar si zëvendësdrejtor i kësaj shkolle. Ka punuar në KRM “ Pastërtia” në Ferizaj në pozitën e përgjegjësit të operativës. Nga viti 2007 deri në vitin 2016 ka punuar si këshilltar për klient në një kompaninë sigurimesh. Gjatë këtij mandati të fundit në legjislativin e KK-së në Shtime ishte shef i këshilltarëve nga radhët e LDK-së. Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Shtime është e vendosur që qytetarëve të Shtimes t’ua sjellë fitoren më 22 tetor, derisa ka një program te qartë qeverisës për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, në të cilin prioritet kryesor do të jetë mirëqenia e qytetarëve të komunës. Ai do të fokusohet në zhvillimin ekonomik, zhvillimin e bujqësisë, infrastrukturës moderne, arsim, shëndetësi cilësore, administratë funksionale, transparente dhe efikase, që do të ofrojë shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët dhe bizneset pa dallime partiake. “Do të fokusohemi në mbrojtjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, pastaj funksionalizimin e parkut Teknologjik, Qendrës së Agrobiznesit, mbështetja e investitorëve të huaj e sidomos atyre nga diaspora. Do ta bëjmë përkrahjen e zhvillimit të turizmit malor, krijimi i një klime të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të reja, rritja e buxhetit komunal nga programi qeverisës, përmirësimin i cilësisë në arsimi, depolitizimi i shkollave, pajisja e shkollave me kabinete, laboratorë dhe kompjuterë, rritja e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, kthimi i vlerave dhe rregullave në arsim, dhe në pranimin e personelit të mësimdhënësve do të ketë transparencë dhe profesionalizëm të plotë”, ka thënë Shabani.

Image

Ruzhdi Jashari

Garon për herë të parë për pozitën e kryetarit të Komunës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pas një rrugëtimi të gjatë me PDK-në. Ai ka qenë mbikëqyrës kryesor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Kosovës. Ai ka udhëhequr si kryesues në KK të Komunës së Shtimes gjatë vitit 2008-2009, gjithashtu këshilltar në KK të Shtimes gjatë periudhës 2007-2009. Ai ka qenë koordinator dhe hetues kryesor në ekipin e Avokatëve Mbrojtës për Kosovë i autorizuar nga familjet e të akuzuarve të UÇK-së. Është i doktoruar në shkenca sociale dhe të Edukimit në programin “Shkenca Sociale”, profili “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”, UET, Tiranë më 11 maj të vitit 2017. Ka qenë zëdhënës për Informim, i ngarkuar për zonën gjatë luftës së UÇK-së, i emëruar nga SHP- i UÇKsë gjatë vitit 1999 deri në përfundim të luftës në Kosovë, 1999. Gazetar dhe reporter gjatë Luftës së UÇK-së. Ai për qeverisjen e ardhshme ka planifikuar një varg projektesh kapitale për të mirën e qytetarëve. Për shëndetësinë ka ofruar shërbime të rregullta për nënat dhe fëmijë, pastaj përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në aspektin menaxherial. Furnizim me barëra, përveç listës esenciale, për plotësimin e nevojave sociale -barëra plotësuese për kategoritë, pleqtë dhe fëmijë, kontrolli sistematik shëndetësor nëpër shkolla të mesme edhe në shkollat e mesme derisa fenomen shqetësues është përdorimi i drogës, si dhe plotësimin e shërbimeve stomatologjike. “Ndërkaq, për kulturë, arsim e sport kemi planifikuar furnizimin e shkollave me pajisje dhe kabinete të ndryshme pastaj funksionimin e bibliotekave nëpër këto institucione. Përzgjedhjen e drejtorëve do ta bëjmë nëpërmjet pjesëmarrjes së komunitetit, ndërkaq vlerësimi i punëtorëve arsimorë do të bëhet nëpërmjet performancës. Do të ketë shujta falas për klasat e ulëta dhe investime në pajisje shkollore për të lehtësuar çantat e fëmijëve. Hapje e drejtimeve të reja në përputhje me nevojat e ekonomisë së Komunës, si dhe do ta bëjmë ndërtimin e një çerdheje te re në Shtime”, ka thënë Jashari. Në infrastrukturë publike do të investojmë në zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në të gjitha vendbanimet dhe ndërtimi i dy impianteve të ujërave të zeza.

Image

Fatmir Rashiti

Garon për kryetar të Komunës si kandidat i pavarur dhe pas divorcit me PDK-në. Që nga viti 2007 deri në vitin 2017, për tri mandate rresht ka qenë nënkryetar i Komunës së Shtimes, mirëpo mandatin e fundit nuk e ka përfunduar deri në fund derisa ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetarit të Komunës dhe anëtarit të Kryesisë së Degës së PDK-së, për arsye të mosreformimit të brendshëm partiak dhe rikandidimit të Naim Ismajli për mandatin e katërt për kryetar komune. Ai në vitin 1999 ishte emëruar drejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Petrovë dhe këtë detyrë e ka përfunduar në vitin 2002 derisa është zgjedhur nënkryetar komune. Ai si kandidat i pavarur për kryetar të komunës tashmë ka marrë mbështetje nga një pjesë e elektoratit të PDK-së, ndërkaq ka lidhur koalicion mbështetës edhe me partitë e tjera si : AAK-në, Nisma për Kosovën, AKR-në dhe Lëvizja për Bashkim. Ai ka thënë se në programin politik rëndësi të veçantë do t’i kushtojë zhvillimit ekonomik, përmes të cilit do të rritet mirëqenia e qytetarëve në të gjitha fushat e jetës duke përmirësuar në përgjithësi cilësinë dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Pikënisje për një përkufizim të ri të Shtimes duhet të gjendet tek krijimi i vendeve të reja të punës përmes zhvillimit të sektorit të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, bujqësisë e të tjerë. “Gjatë mandatit tim katërvjeçar prioritet në vete do të jetë rritja e cilësisë së arsimit dhe veçanërisht atij profesional, në mënyrë që të rinjtë të dalin të sigurt në tregun e punës. Pra, ky është një prioritet madhor dhe kusht i rëndësishëm për përgatitjen e forcës së punës për tregun e punës kudo në Kosovë dhe jashtë vendit. Me qeverisjen time, Shtimja do të jetë një komunë e sigurt për jetën, shëndetin, arsimimin dhe punën e çdo individi, duke garantuar barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e rinisë në strukturat e saj dhe vendimmarrje. Në çdo institucion komunal shtetëror do t’i përmirësoj shërbimet komunale karshi qytetarëve me një transparencë të lartë dhe llogaridhënie për paranë publike”, ka thënë Rashiti.

Image

Mehdi Salihu

Garon për herë të parë për kryetar të Komunës si kandidat i Pavarur. Është i diplomuar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik në vitin 1990, ndërkohë në vitin 2013 ka mbrojtur temën në Master dhe mori titullin Master (MsC) për Financë dhe Kontabilitet Ndërkombëtar. Që nga viti 2007-2017 ka punuar drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban, Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Shtimes. Në vitin 2009 ishte udhëheqës i ekipit komunal në hartimin e Planit Zhvillimor Komunal dhe Urban 2010-2020. Ndërkaq në vitin 2011 Udhëheqës i ekipit komunal në hartimin e Planit Rregullues Urban, koordinator i regjistrimit të popullatës në Komunën e Shtimes dhe koordinator i ekipit komunal për unifikimin e sistemit të adresave në Komunën e Shtimes. Ai rreth një muaj më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Urbanizmit dhe nga Këshilli i degës së PDK-së në Shtime për pakënaqësitë totale të udhëheqjes komunale dhe kandidaturës së kryetarit aktual Naim Ismajli. Salihu në përmbajtjen e programit qeverisës për katër vjetët e ardhshëm ka planifikuar realizimin e një varg projektesh në infrastrukturë rrugore, shkollore, shëndetësi, biznes, kanalizim e ujësjellës. Ai si prioritet kryesor ka planifikuar ndërtimin dhe rregullimin e parkut të qytetit (ulëse, gjelbërim, fontanë, dhe platoja për takime publike) dhe parkingut për staf punonjës dhe qytetarëve që kanë nevojë për shërbime komunale në hapësirën ku gjendet objekti i komunës. “Së bashku me ekipin tim profesional do ta bëjmë rregullimin e shëtitores nga rruga 14 dhjetori deri te trekëndëshi në qendër të qytetit dhe pjesa e djathtë e lumit duke penguar lëvizjen e automjeteve për komunikacion. Të rinjtë nuk do të ikin më në Ferizaj e as në Lipjan, por do t’u krijojmë hapësira për aktivitete të lira në Shtime. Gjithashtu do ta bëjmë edhe rregullimin e parkingut të qytetit në të djathtë të rrugës “Tahir Sinani” afër shkollës së mesme profesionale, pastaj furnizimin me kontejner mbeturinash për të gjitha familjet, dhe mundësia e selektimit të mbeturinave me kontejner me ngjyrë për biologjike, letra, plastike dhe xhamat”, ka thënë Salihu. Sipas tij, do ta gjejnë një lokacion për hedhjen e mbeturinave inerte apo të ngurta në vendin e caktuar nga KK-Shtime dhe dhënia në menaxhim privat.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme