Arbëri

Më se 100 mësimdhënës s’kanë marrë tri pagat e paspensionimit që u takojnë me ligj

Ekrem Mehmeti nga Gjilani kohën më të madhe të jetës së tij ia kushtoi arsimit, deri kur u pensionua tre vjet më parë.

Për 22 vjet, ligjëroi lëndën e Biologjisë në shkollën e mesme të ulët “Selami Hallaqi”.

Ai tash e tre vjet po i kërkon tri pagat, të cilat i takojnë edhe me Kontratë Kolektive, raporton KTV.

Ankesat e tij, ai thotë se i ka adresuar edhe në Gjykatë, por asnjëherë nuk u shqyrtua lënda e tij.

Një tjetër punëtor arsimi po ashtu i pensionuar, shprehet i irrituar se disa mësimdhënës njësoj të pensionuar, madje pas tij, i kanë marrë këto mjete derisa ai dhe bashkëshortja e tij jo.

Ai thotë se edhe këto pensione u ndanë në baza partiake.

Drejtuesit e arsimit në këtë komunë thonë se e vetmja arsye që nuk po i ndajnë pensionet, është mungesa e buxhetit.

Ata thonë se disa herë i janë drejtuar Ministrisë së Financave për t'u dalë në ndihmë, por nuk kanë marrë përgjigje.

Me një problem të tillë ballafaqohen edhe komunat e tjera, përveç asaj të Obiliqit, e cila ka arritur t’i paguajë mësimdhënësit e pensionuar, dhe Komuna e Drenasit për një pjesë.

Pasi nuk u respektua kjo marrëveshje nga shumica e komunave, të cilat nuk e kryen obligimin e tyre ndaj ish-mësimdhënësve të pensionuar, SBASHK–u ka paraqitur padi për 23 komuna.

Mirëpo, sipas kësaj sindikate, lëndët janë zvarritur jashtëzakonisht shumë nga ana e Gjykatave. Së fundi kryetari i Këshillit Gjyqësor ka premtuar se do të lëshojë urdhëresë në mënyrë që këto lëndë të trajtohen me urgjencë.