Komuna e Malishevës pranon dy donacione nga Gjermania e Zvicra

Komuna e Malishevës pranon dy donacione nga Gjermania e Zvicra

03 tetor 2017 09:36

Qyteti i Sundernit në Gjermani, në kuadër të bashkëpunimit me Komunën e Malishevës, këto ditë ka ndihmuar Malishevën me një automjet për zhbllokimin e kanalizimeve.

Këtë donacion të cilin e ka pranuar Komuna e Malishevës, ja ka dhuruar njësisë së “Hidroregjionit jugor” në Malishevë, ndërsa kjo ndihmë ka vlerë të madhe për kompaninë, në mirëmbajtjen e kanalizimeve.

Donacioni i qytetit të Sundernit, edhe zyrtarisht i është dorëzuar kompanisë, e cila në kuadër të detyrimeve të saja, e ka edhe mirëmbajtjen e rrjeteve të kanalizimit në territorin e Komunës së Malishevës.

Përndryshe, në mes të qytetit të Sundernit në Gjermani dhe Komunës së Malishevës, tash e disa vite me radhë, ekziston një bashkëpunim i mirë në të gjitha fushat, kurse ky donacion është përkrahja më e re e këtij qyteti për Malishevën.

Bashkëpunimi mes Sundernit dhe Malishevës, ka filluar vite më parë, me rastin e vendosjes së shtatores së “Nënës Terezë” në këtë qytet, ndërsa bashkëpunimi ka vazhduar me vizita të ndërsjella dhe shkëmbim përvojash në fushat e ndryshme.

Gjatë vizitave të ndërsjella, të kryetarit të Sundernit Rahpl Brodel në Malishevë dhe kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj në Sundern, kanë arritur marrëveshje për përkrahjen e Malishevës me këtë automjet të kompletuar për zhbllokimin e kanalizimeve.

Këtij bashkëpunimi i ka kontribuar edhe Fadil Bytyçi, i cili jeton dhe vepron në këtë pjesë të Gjermanisë, dhe është udhëheqës i klubit të shqiptarëve “2 Korriku”.

Ndërkaq, SHFMU “Emin Duraku” në Dragobil ka pranuar dje një donacion në inventar shkollor, të cilin e ka dhuruar Universiteti i Friburgut nga Zvicra, Komuna Meyrin dhe klubi i futbollit Meyrin.

Në kuadër të këtij donacioni është sjellë inventar shkollor prej tyre 164 bankash dhe 164 karrigesh. Po ashtu është pranuar një kabinet i informatikës prej 25 kompjuterëve, ndërsa nga klubi i futbollit Meyrin janë pranuar veshje sportive dhe disa topa.

Image

“Ky donacion është rezultat i punës së palodhshme të mërgimtarëve tanë, përkatësisht prof.Agim Paçarizi, prof.Rifat Haxhiu e shumë bashkatdhetarëve tanë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër dhe kanë arritur të realizojë këtë donacion të dobishëm për nxënësit dhe komunitetin shkollor”, thuhet në komunikatën për media të Komunës së Malishevës.

Donacioni është pranuar nga drejtori i SHFMU “Emin Duraku” në Dragobil, Arianit Paçarizi, i cili i ka falënderuar bashkatdhetarët tanë, që punojnë dhe jetojnë në Zvicër. Sipas drejtorit Paçarizi, kjo ndihmë ka domethënie të madhe për shkollën, pasi përveç inventarit, janë siguruar edhe kompjuterë për kabinetin e informatikës, dhe tani edhe praktikisht kjo lëndë do të zhvillohet edhe në praktikë, sikur që kanë rëndësi edhe ndihmat tjera të cilat i kanë pranuar sot.

Edhe Komuna e Malishevës i ka falënderuar mërgimtarët tanë për këtë donacion me rëndësi për këtë shkollë dhe ndihmës së përgjithshme në kuadër të krijimit të kushteve më të mira për mësim në shkollat e Komunës së Malishevës.

Bazuar në komunikimin e realizuar është premtuar të sigurohen edhe donacione të tjera, të cilat do të përkrahin shkollat tona.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme