Ende “gjallë” udhëkryqi vdekjeprurës, projekti nisi pa buxhet dhe pa shpronësim

Ende “gjallë” udhëkryqi vdekjeprurës, projekti nisi pa buxhet dhe pa shpronësim

02 tetor 2017 17:09

Një udhëkryq në Kosovë që konsiderohet nga shumëkush si “vdekjeprurës”, e që shtrihet përgjatë rrugës Prishtinë-Ferizaj, saktësisht në Banullë. Është ende “i gjallë”. Aty u planifikua të bëhej një rrethrrotullim.

Për këtë kishte shkuar edhe atëherë ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Ishte data 1 korrik, kur për Ndërtimi.info ai tha se punimet do të zgjasnin 45 ditë pune. Mirëpo kanë kaluar më shumë 60 ditë pune dhe gjendja aty është e keqe. Punimet kishin filluar, por problemet e ministrisë me moskryerjen e obligimeve kanë bërë që punimet të ndërpriten.

Kompania “Rahovica Company” nuk ka dashur të prononcohet për Ndërtimi.info, duke udhëzuar që të gjitha përgjigjet të kërkohen në Ministri. E në përgjigjet e kësaj të fundit u kuptuan shumë gjëra.

Projekti paraprak kishte pasur mangësi dhe nuk ishin menduar të gjitha gjërat mirë nga fillimi. Kështu që revidimi ka qenë i pashmangshëm, që nuk është kryer ende, raporton NI.

“Projekti sipas mendimit të organit mbikëqyrës duhet reviduar, jo pse nuk është hartuar mirë, por me qëllim që të krijojë kushte më të favorshme për bizneset në afërsi të tij (kalon në prona të tyre). Projekt menaxheri menjëherë ka parashtrua kërkesë në MI për revidimin e projektit nëpërmjet komisionit që do ta kryente këtë punë,por kjo ende nuk është kryer deri tani”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë.

Më tej merret vesh se as 400 mijë eurot që ish-ministri Zharku pati thënë që do të jepen për këtë projekt nuk kanë qenë fare të planifikuara dhe këtë vit nuk ka mjete financiare, sipas ministrisë.

Mirëpo, as shpronësimet për këto punime nuk janë kryer.

“Mbetet të zgjidhet çështja e shpronësimit dhe të sigurohet buxheti, pasi që për këtë projekt për këtë vit nuk ka fare mjete të siguruara financiare”, i është thënë NI-së nga Ministria e Infrastrukturës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme