Arbëri

Korrotica e Ulët e Drenasit mund të bëhet me “aeroport”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci të enjten ka pritur në takim disa pilotë nga Kosova të cilët kanë paraqitur idenë dhe projektin e tyre për hapjen e aeroportit në Korroticë të Ulët, përkatësisht ish-kooperativën bujqësore “Agroprodukti”, vend ky strategjik për t’u përdorur edhe si aeroport dhe shkollë e pilotimit për të rinjtë që dëshirojnë të marrin aftësime profesionale të aviacionit.

Kryetari Lladrovci ka mirëpritur idenë e tyre dhe ka thënë se Komuna e Drenasit është e gatshme të ndihmojë dhe të përkrahë këtë ide e cila është në interesin e gjithë qytetarëve jo vetëm të Drenasit, por e gjithë Kosovës, pasi që ofron një mundësi zhvillimi ekonomik dhe i paraprinë zonave ekonomike, mirëpo ka kërkuar edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila menaxhon me këtë zonë, të ju mundëson hapjen e këtij aeroporti.

Me hapjen e këtij aeroporti, pilotët treguan se Kosova ka staf, aftësi dhe kapacitete të mjaftueshme për realizimin e kësaj ideje që të hapet kjo shkollë e aviacionit për kadetët e ri ne mënyrë që të ofrojë shërbime nga me të ndryshmet sa i përket operimeve ajrore.