Arbëri

Buxheti 2018-2020 i Komunës së Malishevës, afër 14 milionë euro

Kuvendi i Komunës së Malishevës, në mbledhjen e fundit, në rend kishte leximin e dytë të projektbuxhetit.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, me shumicë të votave, e kanë miratuar projektbuxhetin 2018-2020, me theks të veçantë buxhetin për vitin 2018, ku përfshihen edhe investimet kapitale.

Buxhetin, para anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, i cili ka sqaruar edhe mënyrën e hartimit të projekt buxhetit, si dhe mënyrën e hartimit të listës së projekteve për vitet në vijim, listë e cila është përpiluar, duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e banorëve të Komunës së Malishevës.

“Buxheti për vitin 2018 do të jetë afër 14 milion euro (13 822 807 €), kurse buxheti për investime kapitale për vitin 2018, është 4 milion e 392 mijë e 811 euro”, thotë komunikata e Komunës së Malishevës.

Përndryshe, mbledhja e sotme shënon edhe mbledhjen e fundit të kësaj përbërje të Kuvendit të Komunës, dhe me këtë rast, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës i ka përshëndetur edhe Kryetari i Komunës, Ragip Begaj, i cili i ka falënderuar për bashkëpunim katërvjeçar, duke e vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës.

Edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Aziz Thaçi, në fund të mbledhjes së sotme, i ka falënderuar të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës për kontributin e tyre që kanë dhënë gjatë këtyre katër viteve.