Bahtiri i njofton Lordët britanikë me gjendjen në Mitrovicë

Bahtiri i njofton Lordët britanikë me gjendjen në Mitrovicë

20 shtator 2017 14:07

Përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Dhomës së Lordëve të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Baroness Coussins, me bashkëpunëtorët e tyre, të shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Samuesl Paice, kanë qëndruar në Mitrovicë, me ç’rast janë pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri.

Mysafirët nga Mbretëria e Bashkuar i thanë Bahtirit se qëllimi i vizitës së tyre në qytetin buzë Ibrit, është që të njihen me gjendjen e përgjithshme këtu, andaj edhe u interesuan për të kuptuar më shumë për çështje të ndryshme me rëndësi, kryesisht për ato të sigurisë, të pranisë ndërkombëtare, lëvizjes së lirë, raportet ndëretnike, etj.

Kryetari Bahtiri, pasi falënderoi mysafirët për vizitën që po i bëjnë Mitrovicës dhe Mbretërinë e Bashkuar e popullin e saj për kontributin e jashtëzakonshëm të Mbretërisë së Bashkuar dhënë Kosovës, para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës, ju tha atyre se Mitrovica, gjatë mandatit të tij qeverisës, nga një qytet problematik, me tensione të vazhdueshme dhe raporte të ndërlikuara ndëretnike, është shndërruar në një qytet normal, të qetë e stabil.

“Kemi punuar shumë me qytetarë. Ishim të përkushtuar për përmirësimin rrënjësor të gjendjes së përgjithshme në qytetin tonë. Dhe falë kësaj pune, por para së gjithash vetëdijesimit të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike dhe ndihmës së madhe të strukturave vendore të sigurisë, KFOR-it e EULEX-it, për të cilat qytetarët kanë shumë respekt, Mitrovica sot është një nga qytetet më të qeta në Kosovë, në të cilin nuk ka më tensione, nuk ka barrikada dhe ku krimi ka rënë për 53 për qind, ndërsa zbulueshmëria e veprave kriminale arrin në 72 për qind”, tha ai.

Në vazhdim, Bahtiri ju tha Përfaqësuesve të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Dhomës së Lordëve të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, se lëvizja e lirë e qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike nga jugu në veri dhe anasjelltas është plotësisht e lirë, ndërsa që raportet ndëretnike janë përmirësuar shumë dhe ka një komunikim të kënaqshëm ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve.

Ai i njoftoi po ashtu mysafirët se komunikon me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore dhe se ka kontakte të përditshme ndërmjet qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë.

“Konsideroj se dialogu dhe bisedimet janë mundësia më e mirë për të shkuar përpara. Tani kur kemi situatë stabile politike e të sigurisë, besoj se do të bashkëpunojmë ngushtë edhe në planin e zhvillimit ekonomik të të dyja komunave dhe kjo sigurisht se do t’i kontribuojë stabilizimit të mëtutjeshëm të situatës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dyja anët e lumit Ibër”, tha ndër të tjera Bahtiri.

Ai foli edhe për shumë çështje të tjera me rëndësi, për të cilat mysafirët u interesuan. Ata, sipas komunikatës së Komunës së Mitrovicës, u ndanë shumë të kënaqur me atë që dëgjuan nga kryetari Bahtiri dhe sidomos me gjendjen aktuale në Mitrovicë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme