Arbëri

Hapet fabrika për riciklimin dhe përpunimin e mbeturinave plastike

Në fshatin Vitomiricë të Pejës, të premten është përuruar fabrika e parë në rajonin e Dukagjinit, e cila bën grumbullimin, riciklimin dhe përpunimin e mbeturinave plastike deri në produktin final në granulat.

Fabrika e hapur është investim i përbashkët i biznesit familjar dhe organizatës zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim “Swisscontact”.

Ky projekt për qëllim ka edhe vetëdijesimin e popullatës për ruajtjen e mjedisit nga hedhja e mbeturinave, sidomos në pikat më të frekuentuara turistike.

Argjentina Grazhdani, përfaqësuese për Kosovë e organizatës “Swisscontact”, deklaroi për Kohën Ditore se kjo është fabrika e parë në Rrafshin e Dukagjinit që bën grumbullimin e mbeturinave plastike dhe riciklimin e tyre deri në produktin final. Sipas saj, e gjithë ideja e “Swisscontactit” dhe Qeverisë zvicerane ka qenë që në këtë rajon të kontribuojë në zhvillimin e turizmit.

“Investimin në këtë biznes e kemi parë shumë të ndërlidhur me turizmin, sepse në gjitha produktet e turizmit që kemi investuar në Rrafshin e Dukagjinit e kemi vërejtur se ndotja e mjedisit është problemi kryesor, i cili faktikisht e pengon zhvillimin e turizmit”, u shpreh Grazhdani.

Prandaj, siç shtoi ajo, në bashkëpunim me këtë kompani është vendosur të investohet bashkërisht në këtë projekt. “Ky projekt do të ndikojë mjaft jo vetëm në hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe në ruajtjen e mjedisi nga ndotja me këto mbeturina”, thotë Grazhdani.

Ndërsa Fazqet Krasniqi nga Peja, pronar i fabrikës “Rec-Plast”, tregoi se me përkrahjen financiare të “Swisscontact” është mundësuar ndërtimi i dy linjave të riciklimit të mbeturinave të plastikës dhe përpunimit të tyre deri në produktin final në granulat. Në kuadër të këtij projekti, në bashkëpunim me komunën, siç thotë Krasniqi, janë shpërndarë nëpër pikat më të vizituara turistike, si në Grykë të Rugovës dhe në Radac kontejnerë të mëdhenj të punuar nga rrjete metalike, më qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve që mbeturinat e plastikës mos t’i hedhin nëpër natyrë, por në ata kontejnerë.

“Po shihet çdo ditë si po mbushet mjedisi me mbeturina plastike, prej të cilave 80 për qind riciklohen. Është mëkat që të gjitha ato mbeturina të hidhen dhe të përfundojnë ndër tokë dhe në deponinë e mbeturinave”, thotë Krasniqi. Projekti i realizuar ka vlerën prej 180 mijë eurosh dhe prej tyre organizata zvicerane i ka dhënë 75 mijë euro, me të cilat është blerë teknika e linjave përpunuese dhe prodhuese, derisa fabrika dhe infrastruktura e saj janë investim me mjete të tij.