Arbëri

Berisha: S’shoh rrezik nga kundër kandidatët

Edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës ka dal e dyta në zgjedhjet e përgjithshme në komunën e Fushë-Kosovës, kryetari i tanishëm nga radhët e kësaj partie, Burim Berisha nuk e sheh si problem kur është fjala për zgjedhjet lokale, ku edhe ka vendosur të ri kandidoj për të tretën herë.

Kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha ka thënë se nuk sheh asnjë rrezik për humbje dhe se kjo do të shihet më 22 tetor.

“Jo absolut jo, nuk paraqet kurrgjë ajo për mua sepse zgjedhjet qendrore janë krejt tjetër problem, zgjedhjet lokale janë krejt tjetër problem, nuk e konsideroj do me thënë si rrezik, nuk ka asnjë rrezik ka programe që në nivelin qendror nuk ka pasur programe,...zgjedhjet lokale janë shumë më atraktive, janë shumë më interesante zgjedhjet lokale, ka më shumë përballje edhe me qytetarë por edhe mes kandidatëve por edhe mes kandidatëve për asamble...Prandaj ajo që ka qenë në zgjedhjet qendrore nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet lokale dhe do e shohim më 22 tetor që nuk ka të bëjë fare”, tha ai për Kosovapress.

Berisha thotë se ka vendosur të kandidoj për kryetar të komunës së Fushë-Kosovës për ta forcuar identitetin urban, ekonomik, social, kulturor e sportiv që po e krijon ky qytet.

“Komuna e Fushë-Kosovës ka ndryshuar rrënjësisht, në këtë ndryshim një prej njerëzve jam edhe unë, ka plotë njerëz që kanë marrë pjesë në këtë ndryshim të madh të komunës tonë, është bërë një komunë e këndshme për të jetuar, është bërë një komunë që po rritet me numrin e popullsisë, një vend që e dëshirojnë për me ardh për të punuar njerëzit, një vend që po krijon identitet urban, ekonomik, social por edhe kulturor edhe sportiv, dhe këtu kemi qenë pjesëmarrës në krijimin e këtij identiteti dhe kam vlerësuar se ka nevojë për ta qenderësuar këtë identitet, për ta bërë më të fuqishëm dhe për ta bërë më të qëndrueshëm dhe më afatgjatë këtë identitet, meqenëse zhvillimet janë të shpejta dhe ndryshimet kanë qenë shumë të shpejta kur kihet parasysh se si ka qenë para 15 viteve dhe si është sot”, tha ai.

I nominuari i LDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Burim Berisha ka premtuar investime më të mëdha në arsim për rritjen e cilësisë.

”Pjesa tjetër do të jetë arsimi, bile arsimin do ta qesë në pjesë të parë, do të bëjmë investime bukur të mëdha në arsim prapë, do të bëjmë investime edhe në infrastrukturë por jo shumë sepse nuk kemi shumë nevojë, por do të bëjmë investime në cilësinë e mësimit...Pjesa e parë ose mundësia e parë ose investimet e para do t’i bëjmë në ato shkolla për t’i liruar nga numri i madh i nxënësve, do me thënë fokusimi do të jetë në qytet, tani për këto katër vite i kemi përfunduar dy shkolla, jemi duke i përfunduar edhe dy të tjera...Do të krijojmë kushte optimale edhe për nxënësit në Fushë-Kosovë këto do të jenë me salla sporti, pastaj do të kemi një palestër të madhe sportive, do të kemi besoj palestrën e parë sportive në Kosovë për artet marciale, sportet luftarake”, shtoi ai.

Ndërsa në planin e tij qeverisës për katër vitet e ardhme parasheh edhe rritjen e stafit shëndetësor, ndërtimin e disa qendrave mjekësor familjare nëpër fshatrat e Fushë-Kosovës.

“Edhe në shëndetësi do të rrisim kapacitetet shëndetësore, unë këtu nuk mundem pa i falënderuar edhe stafin e shëndetësisë që e bëjnë një punë të jashtëzakonshme që janë 103 punëtorë që brenda një viti i kanë 150 mijë vizita shëndetësore dhe i kanë mbi 320 mijë shërbime shëndetësore...do të bëjmë investime edhe në ndërtesën e QKMF-së, do të bëjmë edhe disa ndërtime, pastaj do të bëjmë disa ndërtime edhe në tri qendra në Bardhë të Madh, në Miradi të Ulët, në Sllatinë të Madhe, ndërsa në Miradi të Epërme do ta bëjmë një qendër të re meqenëse ajo është shumë e vjetër, në këto tri qendrat do të mundohemi që ta bëjmë me tri ndërrime, Bardh, Miradi dhe Sllatinë, ta bëjmë më shumë se dy ndërrime dhe do të shohim a kemi mundësi për ta rritur numrin e mjekëve dhe të pjesës teknike të stafit. Do të thotë në shëndetësi ende edhe më tutje kemi nevojë për ndërtime, ndërtime të koncentruara në një pikë, më shumë seminare, trajnime, dhe rritje të numrit të stafit,”, tha ai.

Prioritet i qeverisjes së tij thotë se do të jenë edhe zhvillimi rural dhe infrastrukturor që do të përfshijë pjesët e pa përfunduara të asfaltimit, kanalizimit, ujësjellësit, ndriçimit dhe mbeturinave.

Sa i takon planit urbanistik për Fushë-Kosovën, Berisha thotë se për 4 vitet e ardhme parasheh ndërtimin e një lagjeje luksoze në Bresje dhe Ulgar me një infrastrukturë më të mirë se sa pjesët tjera të qytetit.

“Ne jemi në fazën e ndryshimeve të mëdha, ndryshimeve ekonomike, ndryshimeve urbane. Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta quar përpara pjesën urbane, do të vazhdojmë me një ndërtim të një pjese të qytetit që do të jetë qytet luksoz, do të ketë lagje luksoze...ka me qenë kjo pjesa prej Bresjes dhe Uglarit, kjo do të jetë pjesa, koncepti im është që do të jetë një qytet për pjesën luksoze dhe për pjesën e njerëzve që japin më shumë para për ta blerë një banesë por edhe natyrisht që do të jenë me një infrastrukturë shumë më të mirë se sa pjesa tjetër sepse do të jetë shumë më shtrenjtë....Për këtë pjesë jemi duke punuar qe dy vite por nuk kemi pas rast ta shpalosim...do të vazhdojmë për pjesën urbane edhe më tutje ta ndryshojmë, ta zhvillojmë për pjesën e mesme të njerëzve dhe qytetarëve dhe për pjesën e varfër”, tha ai.

Me planin urbanistik kryetari, Burim Berisha ka premtuar shtim të mini-parqeve dhe këndeve të lojërave për fëmijë në hapësirat e ndërtesave në qytet, ndërsa thotë se për parqe më të mëdha brenda në qytet nuk ka mundësi, pasi që kjo komunë nuk qëndron mirë me hapësirave publike.

Burim Berisha, kryetari i tanishëm i Fushë-Kosovës ka shtuar se e ka besimin e plotë të qytetarëve të këtij qyteti dhe se ata që duan të bëhen kryetar duhet të tregojnë se si do ta bëjnë Fushë –Kosovën, pasi që se si është dihet.

Ndryshe, Burim Berisha ka qenë për dy mandate kryetar i komunës së Fushë-Kosovës dhe tani për herë të tretë është ri kandiduar për për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.