Arbëri

Në ditën e Mësuesit, marrëveshje mes Caritas-it dhe Malishevës për përkrahje në edukimin parashkollor

Descriptive Text

Në ditën e mësuesit, është nënshkruar marrëveshja mes Caritas-it zviceran dhe Komunës së Malishevës, për përkrahje në sistemin parashkollor të arsimit.

Marrëveshja është nënshkruar mes kryetarit të Komunës, Ragip Begaj, shefit të zyrës së Caritas-it zviceran në Kosovë, Kreshnik Basha, drejtorit për Arsim dhe Edukim, Avdi Morina dhe përgjegjësit të këtij projekti Albert Bakallit. Në këtë takim, mori pjesë edhe trajnere-delegate e Caritas-it zviceran, Erika Masina.

Mbështetja dhe përkrahja e komunës me Caritas-in zviceran, në edukimin parashkollor, është treguesi i rëndësisë që Komuna e Malishevës, i jep edukimit parashkollor, si parakusht për përgatitjen më të mirë të fëmijëve.

“Caritas-i zviceran, ka një bashkëpunim tejet të mirë me Komunën e Malishevës dhe kjo është arsyeja e ripërtëritjes së kësaj marrëveshje, dhe për neve është një kënaqësi e madhe, që po bëhet kjo marrëveshje për përkrahje në edukimin parashkollor”, tha Basha.

Nga an tjetër, kryetari i Komunës e ka falënderuar Caritas-in zviceran për këtë përkrahje dhe për bashkëpunimin e mirë me Komunën e Malishevës, ku nga kjo marrëveshje po përfitojnë fëmijët, të cilët janë të inkuadruar në klasat parashkollore dhe kjo është një ndihmesë e madhe për arsimin në Malishevë.

Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, Caritas-i zviceran do të ndihmojë në pajisjen e klasave të arsimit parashkollor si dhe trajnimin profesional, në përputhje standardet e edukimit parashkollor.