Arbëri

Në Gjilan një grup studentësh anëtarësohen në LDK, Forumi u thotë ta marrin për shembull Hazirin

Dega e LDK-së thotë se në Gjilan, pjesë e kësaj partie janë bërë edhe një grup i studentëve.

“Një grup i studentëve të ekselencës i janë bashkuar sot Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan. Mirëseardhje këtyre të rinjve i kanë uruar Rina Ahmeti, kryetare e Forumit, Gentrit Murseli, anëtar i kryesisë dhe qindra të rinjë e të reja të LDK së Gjilanit. Ahmeti e Murseli i kanë sugjeruar të rinjve gjatë këtij takimi madhështor që ta marrin shembull kreun e Degës dhe Komunës së Gjilanit, njëherësh nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, i cili aktivitetin e tij politik e ka nisur pikërisht në strukturën e rinisë”, thuhet në njoftimin e kësaj dege të partisë.

Sipas të njëjtit njoftim, ata falënderuan Hazirin “për mbështetjen e madhe që i ka dhënë të rinjve gjilanas, duke iu besuar pozita udhëheqëse”.

“Gjatë takimit të sotëm u tha se së bashku me të rinjtë do të finalizohet strategjia dhe planprogrami për katër vitet tjera të qeverisjes në krye me kryetarin Haziri, duke theksuar se dyert e LDK-së së Gjilanit janë të hapura për grupmoshën e të rinjve dhe idetë e tyre do të inkorporohen në mënyrën më të mirë”, thuhet në njoftim.