Arbëri

Vlerësohet angazhimi dhe bashkëpunimi i zjarrfikësve shqiptarë e serbë në Mitrovicë

Descriptive Text

Janë lokalizuar me sukses dy zjarret e fuqishme që përfshinë të shtunën dhe të dielën mbi 100 hektarë pyje, në dy lokacione të ndryshme të komunës së Mitrovicës, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Zjarri përreth Kodrës së Cërnushës në fshatin Kqiq kishte rrezikuar edhe shtëpitë e disa lagjeve në këtë fshat dhe vetëm falë angazhimit dhe mobilizimit të madh të njësive të zjarrfikësve, por edhe të vetë qytetarëve, shtëpitë janë shpëtuar pa i përfshi zjarri.

Në operacione për shuarjen e zjarreve kanë qenë të angazhuar dhjetëra zjarrfikës me automjetet e tyre nga Mitrovica Jugore, Mitrovica Veriore, Skenderaj dhe Zveçani. Operacionet ishin të organizuara mirë dhe ekipet funksionin suksesshëm. Ishin të angazhuar në shuarjen e zjarreve edhe një numër i madh i banorëve që jetonin përreth zonave të përfshira nga zjarri.

Duke vlerësuar angazhimin maksimal dhe punën e madhe që kanë bërë në lokalizimin e zjarreve dhe evitimin e pasojave të rënda që kanë mundur të ndodhin, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri falënderon të gjithë zjarrfikësit që kanë marrë pjesë në operacion dhe banorët e fshatrave përreth.