Gjilani e Vitia ndërtojnë bashkërisht rrugën Kravaricë - Ballancë

Gjilani e Vitia ndërtojnë bashkërisht rrugën Kravaricë - Ballancë

05 gusht 2017 18:00

Komuna e Gjilanit dhe ajo e Vitisë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për investimin e rrugës e cila lidh dy fshatrat e këtyre komunave, respektivisht Kravaricën dhe Ballancën, për të krijuar kështu korridorin e ri të qarkullimit të qytetarëve dhe ndikimin në zhvillimin e një sërë fshatrave të këtyre lokaliteteve në këtë zonë.

Me këtë rast nënkryetari Rexhep Kadriu, në emër të Komunës së Gjilanit, pas nënshkrimit të marrëveshjes ka thënë se kjo marrëveshje është në funksion të hapjes së rrugëve të reja në infrastrukturore dhe qëllim kryesor kanë lidhjen mes vete të fshatrave të zonës e cila përfshinë një rreth të gjerë të banorëve mes dy Komunave.

“Është një zonë e cila do të lidhet mes vete dhe qarkullimi do të shkurtohet dukshëm. Gjatësia e kësaj rrugë është prej një kilometri ndërsa gjerësia e saj është 5 metra dhe ndihmon jashtëzakonisht shumë për zhvillimin e kësaj zone, për komunikim më të lehtë të banorëve të këtyre anëve dhe njëkohësisht edhe kthimin e vëmendjes drejtë fshatrave të kësaj ane. Vlera e investimit është mbi 110 mijë euro dhe planifikohet që punimet të nisin gjatë muajit shtator”, ka potencuar Kadriu, i cili ka thënë se është qëndrim i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri që bashkëpunimi ndërkomunal dhe investimi në fshatra të jetë i barabartë me investimet në qytet.

Kurse nga ana e tij, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në fjalën e tij një falënderim të veçantë ka dhënë për kreun e Gjilanit dhe për stafin e tij që projekte të rëndësisë dhe bashkëpunimit ndërkomunal po realizohen në të mirë të qytetarëve.

“Bashkëpunimin ndërkomunal që e ka nisur dhe mbajtur përherë Gjilani si Komuna më e madhe e regjionit të lindjes, ka marrë hapin tjetër atë të lidhjes së dy fshatrave dhe krijimin e mundësive shtesë për bashkëpunim, komunikim dhe eliminim të kilometrave të shumta në një kilometër të vetëm. Kjo rrugë do të mundësojë nxitjen e zhvillimit të bujqësisë edhe në fshatin në Ballancë dhe në fshatrat përreth, sikur që është duke ndodhur në Kravaricë dhe në fshatra të tjera të kësaj ane”, ka thënë ndër të tjerash Haliti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme