Arbëri

Kryetari i Podujevës flet për projektet e planifikuara për vitin 2023

Descriptive Text

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka folur për projektet që janë planifikuar në këtë komunë për vitin 2023, e për të cilën thotë se është planifikuar buxheti.

Bulliqi në një bisedë për emisionin “Sot” në KTV ndër projektet e ka veçuar ndërtimin e Urgjencës së qytetit të Podujevës, e po ashtu edhe ndërtimin e Stacionit të Autobusëve.

“Këtë vit po startojmë me buxhet 4 milionë euro më të madh se në vitin 2022, e prej këtij buxheti shtesë dy milionë euro do të jenë për projekte kapitale. Do të ndaja disa projekte të mëdha. Ka filluar ndërtimi i Urgjencës së qytetit të Podujevës në vlerë 1.7 milionë euro, 600 mijë euro është participimi nga komuna e 1.1 milionë euro donacion nga Katari. Më pas ndërtimi i Stacionit të Autobusëve në vlerë 1.1 milionë euro. Do të përmbyllet ndërtimi i rrugës ‘Skënderbeu’. Pritet të fillojë këtë vit rikonstruimi i rrugës ‘Xhemajl Mustafa’, rrugë mbi 1 milionë euro vlerë”, ka thënë Bulliqi. “Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kemi dy projekte që planifikohen këtë vit – pishina gjysmë olimpike që kalon shifrën 1 milion euro dhe Qendra Multifunksionale”.

Bulliqi ka folur edhe për ndërtimin e shkollave në fshatin Llugë, Dumosh e po ashtu shkollës së mesme ekonomike. Po ashtu ka thënë se do të ketë asfaltim të rrugëve, zgjerim të rrjetit të ndriçimit, kanalizimit e ujësjellësit.

“Po ashtu me rëndësi këtë vit do të ketë më shumë subvencione. Derisa në vitin 2022 kishte rreth 900 mijë euro, këtë vit ka 1.6 milionë euro”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka folur edhe për magjistralen Prishtinë – Podujevë.

“Ministria e Infrastrukturës e ka shpallur tenderin në pesë lote para disa ditëve. Procesi besoj se do të ecë mirë. Y vit do të jetë vit ku do të merret me seriozitet maksimal ndërtimi i kësaj rruge. Është prej arterieve më të rëndësishme, jo vetëm për qytetarët e Podujevës por edhe për mërgatën tonë, pasi është linjë nacionale”, tha Bulliqi.