Arbëri

Gjilani shpërblen secilin që denoncon zjarrvëniet e qëllimshme

Gjilan, 4 gusht – Komuna e Gjilanit lëshon apelin e radhës për parandalimin e inicimit të zjarreve fushore dhe zjarreve që janë me karakter shkatërrues.

“Të nderuar qytetar të Komunës së Gjilanit, ditët në vijim, vendi dhe komuna e jonë do të ekspozohen nga temperatura të larta, të cilat favorizojnë përhapjen masive të zjarreve që mund të jenë me pasoja të paparapara për jetën e qytetarëve, pronën private dhe publike dhe për rendin dhe sigurinë e përgjithshme.

Duke e qenë të vetëdijshëm për shtimin e numrit të popullatës dhe mjeteve motorike, si rrjedhojë e sezonit të ardhjes së bashkatdhetarëve tanë, mundësitë e intervenimit me kohë nga ana e njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, janë të kufizuara.

Me këtë rast apelojmë te qytetarët që të kenë kujdes gjatë manipulimit me zjarr dhe t’i shtojnë masat për mbrojtje. Rikujtojmë se me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës është paraparë dënimi nga gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet burg për të gjithë ata persona që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm përmes zjarrit.

Për këtë, në funksion të ruajtjes së jetëve të qytetarëve, pronës së tyre private dhe pronës publike, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ofron shpërblim prej 100 eurove për te gjithë ata qytetarë që dëshmojnë me fakte (fotografi) zjarrvëniet e qëllimshme”. Kështu thuhet, ndër të tjera, në apelin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, drejtuar qytetarëve.