Arbëri

Trotuari në shërbim të këmbësorëve dhe komunitetit të lagjes

EC Ma Ndryshe të premten ka realizuar performancën publike “Trotuari si hapësirë publike”, përmes të cilit aktivitet është reaguar ndaj dukurisë së uzurpimit të trotuareve, që përbën një shqetësim të vazhdueshëm të qytetarëve të Prizrenit.

Performanca "Trotuari si hapësirë publike" është realizuar si reagim ndaj uzurpimit të trotuareve nga parkingjet ilegale dhe barrierat tjera fizike, të cilat cenojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve. Ky modul i prezantuar në një trotuar në rrugën “Remzi Ademaj”, i cili përbëhet prej hapësirës për ulje, duke përfshirë hapësirën për qëndrim të Personave me Aftësi të Kufizuar, pastaj parkingut të biçikletave dhe hapësirës së gjelbërimit, përpos që synon të jetë një barrierë direkte për parkimin ilegal të veturave, gjithashtu tenton promovimin e qasjes së shfrytëzimit të trotuarit si hapësirë publike. Në këtë rast, trotuari përpos qëllimit primar për lëvizje të këmbësorëve përdoret edhe si hapësirë publike që shfrytëzohet nga komuniteti i lagjes.

Në hulumtimet e EC-it, viteve të fundit, bllokimi i trotuareve nga qytetarët është veçuar si njëri prej shqetësimeve kryesore, që duhet të kenë një adresim nga institucionet përgjegjëse.

Performanca publike “Trotuari si hapësirë publike” është realizuar në kuadër të projektit “Qytetet gjithëpërfshirëse...”, financuar nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë.