Arbëri

Komuna e Fushë-Kosovës lë dy fshatra pa ambulanca funksionale

Descriptive Text

Dy ambulanca të Mjekësisë Familjare në fshatin Vragoli dhe Miradi e Epërme në Fushë-Kosovë janë nxjerrë jashtë funksionit me një vendim të Drejtorisë së Shëndetësisë së kësaj komune. Kjo është bërë me arsyetimin se në Fushë-Kosovë po mungojnë mjekët, derisa numri i banorëve është dyfishuar. Komuna fajëson Ministrisë së Shëndetësisë për mosangazhim të stafit mjekësor e nga Ministria kanë thënë se ka qenë kompetencë e Komunës të rekrutojë mjekë në proporcion me numrin e banorëve

Ka disa ditë që në derën të Ambulancës së Mjekësisë Familjare në Vragoli të Fushë-Kosovës është ngjitur një vendim që këtë AMF e ka nxjerrë jashtë funksioni. Po ky vendim i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Fushë-Kosovës e ka lënë pa ambulancë funksionale edhe fshatin Miradi e Epërme. Ndërsa, në disa fshatra të tjera shërbimet shëndetësore nga pesë herë në javë janë reduktuar në tre. Krejt kjo, sipas arsyetimit të Drejtorisë së Shëndetësisë, po bëhet për shkak të mungesës së mjekëve e shtimit të numrit të banorëve. Por, këtë çështje opozita konsideron se Komuna ka mundur ta zgjidhë shumë më parë me rekrutim të stafit, porse ka vlerësuar se nuk e ka pasur prioritet. Banorët e fshatrave, që tashmë kanë mbetur pa ambulanca funksionale, shërbimet shëndetësore do të mund t’i kryejnë në ambulancat e fshatrave përreth ose edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë.

Edhe aty, sipas qytetarëve, situata është e rënduar. Ata kanë thënë se me këtë vendim do të vështirësohet puna në QKMF e që për pasojë atyre do t’u zgjatet koha e pritjes për shërbime shëndetësore.

“Edhe ashtu unë sa herë vij këtu kallaballëk është gjithmonë. Kurrë pa 10,15 a 20 persona t’u pritë nuk është këtu”, ka thënë Rexhep Sylejmani, banor i kësaj komune.

E një banor tjetër ka thënë ta ketë vërejtur mungesën e stafit, sepse përveç pritjes, ai ka thënë se mungojnë edhe mjekët specialistë.

“Është mungesë e stafit, pediatri ka dalë në pension qe një muaj gati e nuk e kanë zëvendësuar. Vetëm te mjeku familjar, që është edhe për të rritur, te ai i dërgojmë edhe fëmijët”, ka thënë banori Muhamet Sahiti.

Mbylljen e disa ambulancave e reduktimin e shërbimeve në disa të tjera, drejtori i QKMF-së, Osman Maxherra, ka thënë se e ka sjellë rritja e numrit të banorëve në Fushë-Kosovë dhe numri i vogël i mjekëve. Maxherra ka thënë ka mbi dhjetë vjet që funksionojnë me numrin e njëjtë të stafit shëndetësor, derisa kërkesat për shërbime shëndetësore ka thënë se janë shtuar.

“Ne kemi mbetur me atë stafin e 2010-s, kurse shërbimet prej 2010-s deri më tash janë shtuar më shumë se 150 për qind. I kemi pasur rreth 80 mijë shërbime në vitin 2010. Kurse në vitin 2020 i kemi pasur rreth 175 mijë, vetëm vizita, ndërsa shërbimet kanë shkuar mbi 400 mijë”, ka thënë Maxherra.

Drejtoria e Shëndetësisë gjithashtu ka vendosur që pacientëve që nuk janë banorë të Fushë-Kosovës të mos u jepen fare shërbime pa një dëshmi paraprake se kanë ndërruar vendbanim.

“Qytetarët, të cilët banojnë në Komunën e Fushë-Kosovës, që e dëshmojnë këtë me ndonjë dokument (faturë etj.), por që ende nuk e kanë ndërruar zyrtarisht vendbanimin, do të kenë afat deri më datën 01.08.2022, që ta bëjnë këtë, në të kundërtën, duke filluar nga data 01.08.2022 nuk do t’ju ofrohen shërbime shëndetësore, përveç në rastet urgjente-emergjente”, është thënë në vendim.

Këtë vendim, edhe zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, e arsyeton me numrin e vogël të mjekëve dhe me numrin e madh të qytetarëve që kanë ardhur të jetojnë në Fushë-Kosovë. Sipas regjistrimit të popullsisë në Kosovë më 2011, Fushë-Kosova ka pasur 34 mijë banorë, por, sipas zëdhënësit të Komunës, ky numër tashmë është dyfishuar, duke shkuar në rreth 70 mijë.

“Duke pasur parasysh rritjen enorme të qytetarëve dhe ardhjen nga të gjitha trevat e Kosovës dhe përtej për të jetuar në Fushë-Kosovë, sigurisht që është rritur nevoja që ata qytetarë të marrin shërbime shëndetësore”, ka thënë ai.

Por, mosofrimi i shërbimeve shëndetësore e numri i vogël i mjekëve, sipas opozitës në Fushë-Kosovë, është problem i keqmenaxhimit të Komunës dhe mosprioritizimit të shëndetësisë. Sipas asamblistit të LVV-së, Vlonjat Hasani, Komuna bart miliona euro nga viti në vit, të cilat thotë se e ka mundësinë t’i fusë në shëndetësi.

“Është keqmenaxhim. Ne siç e dimë, Komuna e Fushë-Kosovës ka buxhet të madh, ka të hyra të mëdha, vetëm në këtë vit janë bartur 5 milionë euro prej vitit të kaluar. Nuk ka pasur asnjëherë disponim për zgjidhje afatgjate të këtij problemi. Gjithmonë janë bazuar vetëm në projektet e Caritasit, që janë afatshkurtra”, ka thënë Hasani.

E nga Komuna e kanë fajësuar Ministrinë e Shëndetësisë se nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre për rritjen e stafit shëndetësor.

“Ne ka që prej vitit 2010 që kemi bërë kërkesa të vazhdueshme institucioneve qendrore, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrive të tjera të linjës, kemi kërkuar rritjen e stafit të shëndetësisë dhe asnjëherë nuk kemi gjetur dhe nuk kemi hasur në një mirëkuptim të tillë”, ka thënë zëdhënësi i Komunës.

Mirëpo, në një përgjigje për KOHËN nga Ministria kanë thënë se kjo çështje është kompetencë e Komunës që ta kryejë nëpërmjet buxhetit që i ndahet. Pavarësisht kësaj, MSH-ja ka thënë se u ka dalë në ndihmë komunave gjatë ballafaqimit me COVID-19, duke rekrutuar mjekë, infermierë e staf mbështetës. Nga MSH-ja kanë thënë se, sikur deri më tash, do t’i mbështesin komunat në fuqizimin e shërbimeve dhe kapaciteteve brenda mandatit të saj.

“Me Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Vetëqeverisje lokale, Kujdesi Shëndetësor Primar (QKMF-të dhe njësitë e tyre) janë në kompetenca të komunave. Secila komunë duhet t’i planifikojë shërbimet dhe resurset e saja bazuar në numrin e popullatës dhe në indikatorët e tjerë shëndetësorë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

E nga opozita kanë thënë se çështjen e reduktimit të shërbimeve shëndetësore do ta adresojnë në mbledhjen e Kuvendit Komunal, që pritet të mbahet së shpejti.