Arbëri

Drenasi dhe organizata “Ndihmo edhe Ti” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe drejtori ekzekutiv i OJQ “Ndihmo edhe Ti”, Liridon Llapashtica, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për t’i ndihmuar familjet të cilat kanë nevojë.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është angazhimi i palëve nënshkruese ne një marrëdhënie bashkëpunuese, nga e cila do të shkëmbehen informacione dhe do të bashkërendohen veprimtaritë më synimin e përbashkët për të ndihmuar dhe parandaluar varfërinë, duke krijuar programe me mundësi të mbështetjes së familjeve të varfra për strehim, furnizim me materiale ushqimore apo veshmbathje, zhvillimin e programeve të aftësimit profesional për krijimin e mundësive të punësimit të personave në gjendje të rëndë sociale.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje të bashkëpunimit, Lladrovci tha se përmes saj do të krijohen mundësi për qytetarët që kanë nevojë t’i sigurohet strehim dhe gjëra të tjera ne të ardhmen.

Lladrovci është zotuar se obligimet e Komunës së Drenasit në bazë të marrëveshjes do të realizohen, pasi që “ndihmesa për familjet në nevojë është prioritet i Komunës dhe se deri me tani përmes donatorëve të ndryshëm kanë arritur të ndërtojnë tri shtëpi banimi”.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Ndihmo edhe Ti”, Liridon Llapashtica tha se fillimisht do të identifikojnë rastet me të nevojshme për ndihmë, pastaj përmes donatorëve dhe Komunës do të përzgjedhin ato familje që kanë me së shumti nevojë.