Arbëri

Podujeva e miraton Hartën Zonale 2022-2030 pa votat e LDK-së e AAK-së

Descriptive Text

Këshilltarët komunalë të partive në pushtet (LVV e PDK) e kanë miratuar të premten dokumentin e Hartës Zonale për një periudhë tetëvjeçare 2022-2030. Në këtë votim, kanë abstenuar këshilltarët e LDK-së e të AAK-së.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Valon Demolli, ka thënë se ky dokument ka ardhur pa konsultim publik, pa takim me qytetarë e me grupe të interesit.

“Në qeverisje e LDK-së ka nisur hartimi i dokumentit më të rëndësishëm siç është Harta zonale. Me ardhjen e Vetëvendosjes në ekzekutiv ka ndodhur edhe plotësim-ndryshimi i këtij dokumenti në vitin 2021, i cili dokument është përcjell me paqartësi profesionale dhe ligjore, dhe si i tillë ka dështuar të kalojë në Kuvendin Komunal të vitit 2021”, ka thënë Valon Demolli.

“Edhe sot ky dokument na vjen për votim pa konsultim publik, pa takim me qytetarët, pa takim me grupet e interesit ashtu siç e parasheh edhe baza ligjore. Çka përmban ky dokument ndryshe me atë të mëparshmin? Pse nuk është publik versioni i fundit i Hartës zonale për qytetarët, si dhe sa do të jetë koeficioneti i ndërtimit nëpër lagjet e qytetit?”

Forma e procedimit të këtij dokumenti, sipas këshilltarit të LDK-së, ka rrezik të përsëritet sikurse në vitin 2021 kur ishte konsideruar jo në përputhje ligjore nga niveli qendror.

“LDK ka qenë gjithmonë mbështetëse për propozim-vendimet që janë në interes të qytetarëve, por asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e votimit kur ekzekutivi tenton që në formën që ka zgjedhur ta votojë Hartën zonale pa respektuar procedurat ligjore. Andaj ne si grup parlamentar abstenojmë nga ky votim”, ka thënë Demolli.

Por, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Leotrim Krasniqi, ka thënë se në dokumentin e fundit nuk ka ndryshme rrënjësore.

“Në fakt drafti të cilin tashmë ju e keni ka aspekte më të mira. Cilat janë këto? Është zgjeruar zona urbane. Pra, kufiri i zonës urbane është zgjeruar në kuadër të zonës ndërtimore. Njashtu, pjesa tjetër e magjistrales Prishtinë- Podujevë që përfshin komunën tonë ka pasur aspekte të zgjerimit që mund t’iu shërbejnë pjesëve të tregtisë ose të shfrytëzimit që mund të jetë edhe banim”, ka theksuar Leotrim Krasniqi.

Sipas tij, pjesa e koeficientit ka qenë më ndryshe në draftin paraprak.

“Mirëpo, në bazë të normave teknike të planifikimit hapësinor, indeksi i sipërfaqes së ndërtuar në kuadër të popullsisë që ka komuna jonë është 3.0. Nga kjo mund të jetë edhe një pjesë shtesë që shkon me bonus 5.0. Bonusi përndryshe është një pjesë e stimujve që u jepet ndërtuesve ose investitorëve, të cilët duan të zgjerohen në kuadër të sipërfaqes së ndërtuar”, ka deklaruar drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit.

“Edhe ky pëlqim është konform rregullave është pëlqimi që është marrë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që tregon se çdo gjë që është e përfshirë brenda këtij dokumenti edhe po të kishim dashtë të veprojmë më ndryshe atëherë nuk do të kishte lejuar MMPH-ja. Pra është konform rregullave pjesës së ligjeve që janë në planfikimin hapësinor”.

Mbështetje këtij dokumenti i kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive në pushtet LVV e PDK.

Këshilltari i LVV-së, Florent Hasani, ka thënë se sot është mundësia që të zhbllokohet ky proces.

“Pasi që u desh të bëheshin ndryshime të vogla për të qenë në përputhje me planin hapësinor të Komunës e për të marrë pëlqimin nga Ministria për të ecur tutje me miratimin në Kuvend, sot e kemi mundësitë të gjithë të zhbllokojmë këtë proces më të rëndësishmin të Komunës së Podujevës”, ka thënë ai.

Ndërsa, shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bashkim Syla, ka thënë se mosprocedimi për miratim qe një kohë të gjatë i këtij dokumenti i ka shkaktuar dëme qytetarëve, bizneseve dhe komunës.

“Pëlqimin për miratimin e hartës zonale e ka dhënë edhe MMPHI. Njëkohësisht ka kërkuar që dokumentet t’i harmonizojë me gjendjen në terren, si dhe të hartojë Planin zhvillimor komunal.

Ne e përkrahim miratimin e hartës zonale”, ka thënë ai.

Harta zonale është miratuar me votat e LVV e PDK-së, kurse LDK e AAK kanë abstenuar.