Nis shenjëzimi i rrugëve në Malishevë, shiu ndërpreu korrjet

Nis shenjëzimi i rrugëve në Malishevë, shiu ndërpreu korrjet

17 korrik 2017 12:11

Në mbledhjen e sotshme të Këshillit të Drejtorëve të Komunës së Malishevës (u kryesua nga Ragip Bega, kryetar) u tha se janë duke vazhduar punimet në projektet që kanë filluar më herët, ndërsa këto ditë ka filluar edhe shenjëzimi i rrugëve brenda qytetit të Malishevës.

Në njoftimin për këtë mbledhje kryetari Begaj citohet të ketë thënë se “nuk dua që projektet të realizohen gjatë fushatës zgjedhore, por të përfundojnë mundësisht para kohës së planifikuar dhe asgjë të mos lidhet me fushatën zgjedhore në tetor”, transmeton Koha.net.

Gjatë raportimit të drejtorëve të drejtorive u bë e ditur se “ka filluar shenjëzimi i rrugëve brenda qytetit, por për shkak të shiut është ndërprerë dhe do të vazhdojë në ditët në vijim”. Kështu njoftoi drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina.

“Për shkak të reshjeve të shiut është ndërprerë edhe fushata e korrje shirjeve, e cila pritet të përfundojë brenda dy ose tri ditëve”, ka raportuar drejtori për Bujqësi, Murat Hoxha, i cili gjithashtu tha se gjatë kësaj jave përfundojnë të gjitha procedurat dhe nga java e ardhshme pritet furnizimi i fermerëve me motokultivatorë, projekt i Drejtorisë së Bujqësisë.

Drejtori për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, duke prezantua raportin gjashtë mujor, tha se buxheti është realizuar sipas planifikimit, e sidomos pjesa e shpenzimeve në investimet kapitale.

Po ashtu në këtë mbledhje u bë e ditur se po vazhdojnë përgatitjet për organizimin e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, edicioni i katërt. Përgatitje janë duke u bërë edhe për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor 2017-2018.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme