Arbëri

Akuza ndaj ministrit Murati për ndikim në përzgjedhjen e kryeshefit të “Bifurkacionit”

Zgjedhja e kryeshefit të ri në konkursin e fundit në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj ka nxitur reagimet e disa kundërkandidatëve të tjerë me arsyetimin se në këtë konkurs janë shkelur ligjet dhe udhëzimet administrative të kësaj kompanie, për të cilat po kërkohej hetim nga prokuroria. Kundërkandidatët e tjerë që kanë plotësuar kriteret në këtë konkurs po akuzojnë figura politike për ushtrim të ndikimit

Bordi i përkohshëm i drejtorëve në kompaninë regjionale të ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj në konkursin e fundit për kryeshef ekzekutiv të kësaj kompanie ka përzgjedhur kandidatin Jeton Shabani, i cili po cilësohet si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i afërt me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Shabani e Murati janë parë shpeshherë edhe nëpër fotografi gjatë fushatave zgjedhore.

Kandidatët që nuk u përzgjodhën thonë se në këtë konkurs ka pasur një varg shkeljesh e parregullsish duke u nisur nga thirrja për aplikim.

Ata kanë kërkuar nga Prokuroria që ta hetojnë të gjithë procesin e zgjedhjes së kryeshefit të ri.

“Jam shumë i shqetësuar që po vazhdon avazi i vjetër duke emëruar dosta dhe njerëz të partive politike, siç është rasti tani në Ferizaj që është emëruar një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe siç thuhet këtu që është dost i disa ministrave në këtë qeveri”, ka thënë kandidati për kryeshef, Gëzim Kokollari.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga ministri Hekuran Murati për akuzat që kanë bërë kundërkandidatët, por nuk ka marrë përgjigje.

“Kryeshefi i përzgjedhur është shok i ngushtë i njërit ministër në Qeverinë e Kosovës dhe ndoshta ky është një favor të cilin duhet t’ia bëjnë njeriut. Mirëpo, në këtë mënyrë Kosova nuk mund të zhvillohet nëse ofrohen pozitat e larta për shokë, dashamirë, për dajë e teze”, ka thënë kandidati Luan Hoti.

Kryesuesi i Bordit të drejtorëve në kompaninë “Bifurkacioni”, Shpend Gjugja, ka thënë se kandidati i ka pranuar e i ka plotësuar kushtet dhe kriteret e nevojshme për këtë pozitë.

I ka mohuar se në zgjedhjen e tij të ketë pasur ndikim nga politika.

Ka pranuar se ka pasur disa lëshime teknike derisa konkursi është thirrur vetëm në gjuhen shqipe dhe se intervista fillimisht ishte thirrur me shkrim e pastaj është anuluar.

I paqasshëm ka qenë kryeshefi i sapoemëruar në këtë ndërmarrje, Jeton Shabani.