Arbëri

Bahtiri kërkon krijim të kushteve optimale për qytetarët në liqenin e Suhadollit

Përgjegjësia në punë, realizimi i obligimeve që dalin nga planet e punës dhe disa çështje aktuale kanë qenë temë kryesore të mbledhjes së Bordit të Drejtorëve, drejtuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Bahtiri dhe nënkryetari Faruk Mujka, kanë folur për gjendjen jo të mirë të pastërtisë në disa hapësira publike në qytet, për ushtrimin e disa veprimtarive në mënyrë joligjore nga persona të përgjegjshëm në shëtitoren kryesore të qytetit, për pengesat që po u shkaktohen qytetarëve nga këto veprimtari pa leje të organeve kompetente komunale, etj.

Nisur nga kjo, Bahtiri ka urdhëruar drejtorët e drejtorive komunale që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të evituar parregullsitë që vërehen dhe për largimin nga hapësirat publike të të gjithë atyre individëve që ushtrojnë veprimtari pa leje përkatëse, që të ashpërsohen kriteret për dhënien e lejeve, në mënyrë që ato të mos jepen vend e pa vend, por vetëm aty ku vërtetë ka nevojë dhe ku nuk pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve.

“Nga sot të gjithë duhet të jeni në gjendje mobile për të evituar të gjitha parregullsitë nëpër hapësirat publike në mënyrë që qytetarët të vërejnë ka rend dhe rregull. Për të gjitha masat që duhet të ndërmerren ju duhet të hartoni plane konkrete dhe t’i dorëzoni tek unë, ndërsa që raportimi për realizimin e tyre duhet të bëhet rregullisht për çdo ditë. Kurrfarë mosangazhimi dhe avashllëku nuk do të toleroj”, ju tha drejtorëve kryetari Bahtiri.

Ai në vazhdim foli edhe për gjendjen aktuale në liqenin artificial në Suhadoll, duke thënë se qytetarët kanë filluar me të madhe që të shfrytëzojnë për freskim dhe aktivitetet rekreative, andaj kërkoi nga drejtorët përkatës, që të marrin të gjitha masat që aty të krijohen kushte optimale për qëndrimin e rehatshëm të qytetarëve në atë hapësirë.

Kryetari Bahtiri, me këtë rast kërkoi nga drejtoria përkatëse që të bashkëpunoj me Klubin e Zhytësve të Mitrovicës, në mënyrë që të krijohen kushte për evitimin e rreziqeve për qytetarët që e shfrytëzojnë ujin e liqenit për freskim, pasi që uji në disa pjesë është i rrëmbyeshëm. Në këtë kontekst, ai shtroi nevojën që të sigurohet një barkë për intervenim të shpejtë në rast nevoje.

Kryetari Bahtiri në këtë takim prezantoi drejtorin e e ri të emëruar në Drejtorinë e Inspekcionit, e që është Nysret Qubreli, të cilit i dëshiroj punë të mbarë në zbatimin e ligjit dhe shërbim të qytetarëve.