Arbëri

Idrizi premton se brenda vitit gjithë qytetarët e Vushtrrisë do të furnizohen me ujë të pijshëm

Descriptive Text

Deri në fund të këtij viti do të përfundojë shtrirja e rrjetit të ujësjellësit në tërë territorin e Komunës së Vushtrrisë.

Kështu po premton kryetari i ri i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili thotë se mungesa e ujit të pijes është një prej problemeve më të mëdha me të cilin përballen qytetarët e Vushtrrisë.

Idrizi që në fund të vitit të kaluar mori besimin e vushtrriasve për të udhëhequr me komunën, deklaron se do t’i realizojë të gjitha premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

I pari i Vushtrrisë thotë se prioritet të punës së tij do t’i ketë të rinjtë vushtrrias, për t’iu krijuar mundësi për zhvillim profesional e punësim. Idrizi thekson se problem sa i përket ujit të pijes në Vushtrri është shtrirja e rrjetit sekondar, e që thotë se të gjitha punimet do t’i përmbyllin deri në fund të vitit.

“Ne veç i kemi identifikuar problemet, është shtrirja e rrjetit sekondar në ato pjesë ku nuk është shtirë. Kemi pasur takimin e menjëhershëm sepse ne para përmbylljes së balotazhit e patëm bërë edhe një plan 100 ditësh me të cilat do të merremi. Prioritet kryesor ka qenë uji i pijshëm. Kemi pasur takimin e parë me bordin regjional të ujësjellësit dhe me kompaninë e cila është duke e zbatuar projektin. Jemi në vazhdimësi në mbikëqyrje të kësaj, ju kemi premtuar qytetarëve që brenda vitit 2022 do të furnizohen të gjithë qytetarët në Komunën e Vushtrrisë me ujë të pijes dhe ne do të angazhohemi që t’iu dalim në fjalë ashtu si ju kemi premtuar”, thotë ai, raporton KosovaPress.