Arbëri

Kryetari i Obiliqit flet për projektet e mandatit të tretë

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, premton se projekti për ngrohtoren publike do të përfundojë gjatë këtij mandati. Për vitin e ardhshëm, ai shton se janë të planifikuara dy milionë euro për shtrirjen e rrjetit sekondar. Fokusi i tij, siç thotë Gashi, mbetet shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik dhe çështja e ambientit.

Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq në intervistën për KosovaPress flet për prioritet e tij gjatë qeverisjes me mandat katërvjeçar. Kryetari i zgjedhur i kësaj komune thotë se synon që të realizohet platforma që u kanë ofruar qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore.

“Është mirë që ne po e bëjmë një vazhdim të punëve të cilat i kemi në proces edhe është gjëja më e mirë që gjitha projektet përzgjidhen me qytetarët, do t’i mbikëqyrim bashkë dhe do t’i gëzojmë bashkë ato. Ne do të fillojmë me ngrohjen qendrore është një prej projekteve më madhore. Do të fokusohemi shumë tek shëndetësia, arsimi, tek zhvillimi ekonomik dhe çështja e ambientit”, thotë Gashi.

Në listën e premtimeve, Gashi po zotohet edhe për transparencë dhe llogaridhënie para obiliqasve. Megjithatë, në mesin e projekteve më të mëdha ai përmend çështjen e ngrohtores publike.

“Ky është një ndër projektet më madhore në komunën tonë. Tani për tani jemi në realizimin e sistemit të objektit të sistemit të pompimit. Për vitin e ardhshëm janë të planifikuara dy milionë për shtrirjen e rrjetit sekondar. Shpresoj që faza e parë do të jetë Obiliqi, Mazgiti dhe Millosheva. Shpresoj që do t’i bashkohen këtij projekti edhe shumë donatorë, jemi të gatshëm të negociojmë edhe me banka sa i përket kredive të buta”, shton ai për KosovaPress.

Kuvendi Komunal i Obiliqit ka 21 ulëse, ku nëntë prej tyre u përkasin asamblistëve të Iniciativës Qytetare. Xhafer Gashi i cili ka fituar besimin e qytetarëve për mandatin e tretë nuk konsideron që do t’i ketë pengesë asamblistët e opozitës.

“Unë nuk konsideroj që do të kem pengesë. Normalisht që do të kem edhe mendime të tjera, por në asamble komunale gjithherë është rregull që shumica vendos për zhvillimin, vendimin dhe projektet. Shpresoj që siç kemi bërë për tetë vjet më radhë edhe tani do të jemi të kujdesshëm që bashkërisht projektet do t’i bëjmë me qytetarët dhe do t’i adresojmë kuvendit”, shprehet Gashi.

Ai thotë se për tetë vjet sa ka qenë në udhëheqje të Obiliqit kjo komunë ka pësuar ndryshim.

“Duke filluar nga ligji që e trajton në mënyrë të barabartë Obiliqin, pastaj zona industriale, marrja e shumë pronave nga KEK-u dhe tani të rikthyera në Komunën e Obiliqit, që dikur ishin gërmadha dhe tani janë sheshe dhe biblioteka dhe Shtëpia e Kulturës... Pastaj është çështja e subvencionimit të gjithë nxënësve, studimeve post-diplomike, subvencionimi i sportit, kulturës, bujqësisë dhe shumë projekte të tjera”, thekson ai.

Në garën e 14 nëntorit, Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq ka marrë mbi 60 për qind të votave. /KP