Arbëri

PDK ia numëron Sfarqës të Ferizajt mospërmbushjet e premtimeve

​Partia Demokratike e Kosovës në Ferizaj po konsideron se kryetari aktual i kësaj komune, Muharrem Sfarqa nuk ka lidhje me zhvillimin ekonomik. Kjo sipas PDK-së, vërtetohet me dështimin e disa projekteve dhe me faktin se drejtorisë së zhvillimit ekonomik iu janë ndarë vetëm 1.31 % e buxhetit.

Drejtues të PDK-së në Ferizaj, gjatë një konference për media, kanë përmendur një nga një premtimet e Sfarqës dhe dështimin në realizimin e këtyre premtimeve.

Kryetar i departamentit për zhvillim ekonomik në degën e PDK-së në këtë komunë, Medain Hashani ka thënë se kryetari Sfarqa gjatë mandatit të tij pati premtuar shumë, derisa ai ende vazhdon të mos e kuptojë se çka është zhvillimi ekonomik.

Ai ka akuzuar kryetarin aktual edhe për mos zbatimin e vendimeve të Kuvendit Komunal, duke thënë se vendimet kanë mbetur vetëm në letër.

Hashani ka drejtuar akuza nga Sfarqës edhe sa i përket ndarjes së pronave të cilat kanë qenë të destinuara për zhvillimi ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke thënë se prona vetëm janë ndarë por që nuk ka investitor, transmeton kp.

Sipas tij, buxheti i vitit 2017 i Komunës së Ferizajt është 26.480.591.00 euro, ndërsa, buxheti i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, në shumën prej 347.334.00 euro, që në përqindje i bie se 1.31 % e buxhetit është orientuar për zhvillim ekonomik. Ai shtoi se kjo tregon se sa din kryetari për zhvillimin ekonomik.