Arbëri

Rugova që nga paslufta pa ambulancë

Descriptive Text

Komuna e Pejës as sivjet nuk e hapi në Rugovë ambulancën e shumëkërkuar nga banorët. Kjo trevë që nga paslufta ende nuk ka qendër të shëndetit primar, të cilën më parë e kishte pasur në tri fshatra.

Një ambulancë në trevën e tyre vazhdojnë ta kërkojnë banorët e Rugovës.

Këtë kërkesë e patën edhe sivjet, duke potencuar largësinë deri në një qendër mjekësore në Pejë dhe shtimin e banorëve rezidentë me hapjen e bizneseve të shumta familjare.

Njëkohësisht, ata përmendin edhe shtimin e vizitorëve, jo vetëm gjatë sezonit veror e dimëror, kur ka më tepër, por edhe gjatë tërë vitit.

“Po ka gjithë kohën. I ke rregullisht këtu. Se diku në fshatin Bogë më së pakti janë 500 shtëpi”, ka deklaruar Xhemë Demaj, kryetar i fshatit Bogë. “Edhe janë fshatrat përreth këtu, janë: Stankajt, Shkreli, Koshutani, Haxhaj, Kuqishta... edhe këto janë zhvilluar. Popullata është shumë e madhe”.

Të gjitha këto fshatra janë të lidhura njëra me tjetrën me rrugët e reja të asfaltuara nga Komuna e Pejës, e cila ende nuk e ka jetësuar kërkesën e banorëve për hapjen e një qendre të shëndetit primar.

Sidomos vitet e fundit, Komuna kishte shpeshtuar premtimet se do të funksionalizohet ambulanca në fshatin Haxhaj, e cila është ndërtuar pas luftës, por është shkatërruar pa ofruar një shërbim të vetëm shëndetësor.

Funksionalizimi i saj, megjithëkëtë, nuk ndodhi, ndonëse u tha se një gjë e tillë do të bëhej deri këtë vjeshtë.

Drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, thotë se objekti i ambulancës në Haxhaj nuk është rindërtuar dhe hapur sivjet, për shkak të ndryshimit të planit.

Sipas tij, në bashkëbisedim me komunitetin e bashkësisë lokale “Rugova II” është vendosur që ambulanca të bëhet në fshatin Bogë.

Aktualisht, siç pohoi Loci, është duke u shikuar mundësia të gjendet një lokacion në Bogë dhe të ndërtohet një objekti i ri për ambulancë. Mundësi tjetër, sipas Locit, është rinovimi dhe adaptimi në ambulancë i objektit të shkollës në Bogë, që u ndërtua pas luftës, por u rrënua pa u mbajtur në të një orë mësimi.

“Në qoftë se vendoset të shfrytëzohet ai objekt për qendër shëndetësore, atëherë do të ndërhyhet në vitin 2022 dhe që të kemi një qendër shëndetësore jo vetëm për Bogën, por për të gjithë fshatrat përreth, të cilat frekuentohen nga turistët”, ka deklaruar ai.

E derisa komuna të vendosë për njërin prej dy opsioneve, për këtë sezon të dimrit, siç tha Loci, do të ofrohen prej muajit dhjetor shërbime mjekësore nga ekipet mobile, të cilat do të dalin dhe do të pozicionohen çdo ditë në fshatin Bogë.