Arbëri

Shehu: Në Junik ka pasur manipulime të votave në raundin e parë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhi Shehu, beson se në raundin e parë të zgjedhjeve është dëmtuar ai dhe partia e tij, nga partia në pushtet në këtë komunë, AAK-ja.

Teksa ka folur për dyshimet për manipulime të votave dhe për zyrtaren e Komunës së Junikut, që u zu në aeroport me fletëvotime, tha se janë dëmtuar edhe me votat nga diaspora.

“Unë kam bindjen se edhe në raundin e parë janë manipuluar votat, rreth 200 vota janë shpallur si të pavlefshme dhe kjo ka ndikuar në rezultat”, ka thënë Shehu në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Në raundin e dytë, në balotazh do të jetë përball kandidatit të AAK-së, njëkohësisht edhe kryetar aktual i Junikut, Agron Kuçi.

Kuçi po kërkon mandatin e katërt.