Arbëri

AUV i përgjigjet Hazirit: Qeveria s’ka kompetenca për shqiptimin e gjobave anti-COVID

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili një ditë më parë ka thënë se njësitë ndëshkuese të Qeverisë së Kosovës kanë mbyllur restorante e kafiteri në Gjilan, në kuadër të masave anti-COVID.

AUV-i në reagim ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e shqiptimit të dënimeve ndaj personave konkret.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e shqiptimit te dënimeve ndaj personave konkretë, fizikë apo juridikë, nga inspektorët e AUV-it apo zyrtarët e Policisë së Kosovës për shkeljet e masave anti-Covid. Në vend të kësaj, ekzistojnë procedura të qarta ligjore përmes të cilave secili person i tillë mund të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj dënimeve që pretendohet të jenë të kundërligjshme”, thuhet në reagimin e AUV-it.

Sipas kësaj agjencie, çdo tentim për ta fajësuar apo shantazhuar Qeverinë lidhur me këtë, është përpjekje për të përfshirë nivelin qendror në fushatën e zgjedhjeve lokale nga kryetari aktual.

Haziri kishte ftuar një ditë më parë organet e shtetit që të mos sillen, siç ka thënë në Gjilan me “shkopin” e ligjit, duke shtuar se ky qytet ka zot shtëpie.

“Ftoj organet e shtetit që në Gjilan të mos sillen me ‘shkopin’ e ligjit, sepse ky vend ka zot shpije dhe ato lokale kanë pronarë. Deri nesër në mesditë kërkoj të largohen masat parandaluese. Harrojeni që e ngulfatni Gjilanin në zgjedhje sepse s’mund të fitoni me dhunë. I vetmi përfaqësues zyrtar sipas ligjit për emergjenca civile, ku përfshihen edhe institucionet tjera vartëse, në këtë rast edhe në pandemi, është kryetari i Komunës, i cili është kryeshef ekzekutiv, pa autorizimin e të cilit s’mund t’i hapni e mbyllni asnjë lloj biznesi”, kishte thënë Haziri.