Arbëri

VV-ja në Vushtrri “s’do të rrijë neutrale”

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje, që ka dalë e treta në Komunën e Vushtrrisë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, nuk do të rrijë neutrale në procesin e balotazhit.

Kandidati i saj, Arsim Rexhepi, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë 7.504 vota apo 26.03 për qind, duke u renditur i treti. Në balotazh kanë shkuar Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Xhafer Tahiri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). I pari ka marrë 10.057 vota apo 34. 89 për qind dhe i dyti 9.735 vota apo 33.77 për qind. Kandidati i VV-së nuk e ka përmendur se cilin subjekt politik do ta përkrahin në balotazh, derisa ka theksuar se “ka qartësi të plotë se çfarë do të veprojmë gjatë ditëve në vijim”.

“Ne nuk kemi vendosur ende për këto çështje, Unë si ish-kandidat kam qartësi të plotë se çfarë do të veprojmë gjatë ditëve që vijnë. Nuk do të mbesim neutralë”, i ka thënë Rexhepi KOHËS.

E për rezultatin zgjedhor, ai ka thënë se kanë bërë çka ishte e mundur.

“Është vullneti politik i qytetarëve. Mbase s’kemi arritur që me të njëjtin intensitet sikurse me çështjet e rangut nacional të punojmë e shpërfaqemi edhe me çështjet e problematikat e rangut lokal. Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri është kompakte. Mbetet që forume e organizatës ta vlerësojnë procesin.”

Në mandatin e kaluar, VV-ja ka qenë për një periudhë në koalicion lokal me kryetarin aktual të komunës, Xhafer Tahiri. Ndarja mes dy grupeve kishte ndodhur më 29 janar nga partia e këtij të fundit, nën arsyetimin se VV-ja nuk ia kishte përkrahur planin për rimëkëmbjen ekonomike.

“Nuk mund të lejoj si kryetar komune një kryesi që merr një vendim politik për të mos përkrahur një plan vendimtar për të dalë nga kriza e madhe si rezultat i pandemisë, të vazhdojnë të qëndrojnë në bashkëqeverisje prandaj ne kemi ardhur deri në këtë moment. Arsyeja e vetme pse unë kam vendosur të ndërpresë këtë bashkëpunim bashkë me degën e LDK është mosvotimi i planit të rimëkëmbjes ekonomik, nuk kam asnjë arsye tjetër”, pati thënë Tahiri atëkohë.

Ende nuk janë bërë të ditur rezultatet e kandidatëve për asamble për kuvendin komunal, derisa VV-ja sipas KQZ-së, ka 6.630 sosh, pas numërimit të mbi 97 për qind të votave.

Image

Në nivel vendi, Lëvizja Vetëvendosje do të shkojë në balotazh në gjithsej 12 komuna. Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë-Kosovës, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë. Ndërsa, në komunat ku VV-ja nuk e ka arritur balotazhin si Drenas, Dragash, Istog, Klinë, Junik dhe Malishevë, zyrtarë të këtij subjekti politik nuk janë deklaruar se kë do e mbështesin tutje.

Për Malishevën, kandidati i saj, Alban Krasniqi, ka bërë thirrje që zgjedhjet të bojkotohen, nën arsyetimin se asnjë prej subjekteve që kanë fituar balotazhin nuk i përfaqësojnë vlerat e duhura.

“Asnjëra prej subjekteve që kanë fituar balotazhin nuk përfaqësojnë vlera për të cilat ne angazhohemi, përkundrazi janë sinonim i krimit. Andaj edhe i bëj thirrje të gjithë votuesve tanë që TA BOJKOTOJNË BALOTAZHIN NË MALISHEVË. Sepse të zgjedhësh mes dy të këqijave nuk është zgjidhje, por zgjedhë...lak në fytin e qytetarit. Na duhet më shumë punë dhe përkushtim që ta rizgjojmë vendosmërinë e qytetarëve për të mos iu nënshtruar krimit dhe mafias politike”, ka shkruar ai në Facebook.