Arbëri

INPO: Komuna e Ferizajt shpallë konkurs të kundërligjshëm dhe jo transparent

Descriptive Text

Sipas gjetjeve të organizatës INPO, Komuna e Ferizajt ka shpallur konkurs për pranimin e punonjësve për kryerjen e shërbimeve të veçanta, për së paku pesë (5) pozita, në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës dhe aktet e tjera nënligjore, thuhet në një komunikatë të kësaj organizate.

Pozitat e shpallura përmes këtij konkursi janë për dy (2) zyrtarë të prokurimit, një (1) zyrtar i personelit, një (1) zyrtar financiar, një (1) zyrtar administrativ dhe një (1) inxhinier i komunikacionit, pozita të cilat konsiderohen të rregullta brenda shërbimit civil dhe skemës organizative të departamenteve komunale, që kryejnë punë administrative dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ofrojnë shërbime të veçanta përmes angazhimit së tyre, transmeton Koha.net.

Ligji për Nr.03/L-149, për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i cili rregullon statusin dhe marrëdhënien e punës së nëpunësve civil në institucionet e administratës qendrore dhe komunale, në nenin 11 të tij ka saktësuar dy kategori të të punësuarve: pozitat e nëpunësve civilë të karrierës, të cilët ushtrojnë funksionet në baza të përhershme për arritjen e objektivave institucionale dhe pozitat e nëpunësve civilë jo të karrierës të cilët ushtrojnë funksionet më kohëzgjatje të kufizuar deri në dy vjet, për zbatimin e projekteve të caktuara, zëvendësimin e nëpunësve të përhershëm civil dhe në raste të mbingarkesës në punë.

Sipas INPO pozitat e përshkruara në konkurs do të duhej të specifikoheshin në njërën nga këto dy kategori nëpunësish dhe assesi të shpallen si pozita për kryerjen e shërbimeve të veçanta.

Gjithashtu, për të gjitha pozitat e shpallura i vetmi kriter i kërkuar është diploma universitare, pa specifikuar natyrën e shkollimit përkitazi për pozitën e punës dhe parregullsi të tjera elementare, e deri të kufizimi në pesë (5) ditë i kohëzgjatjes së konkursit, i cili është publikuar vetëm në tabelën e shpalljeve në hyrje të objektit të komunës së Ferizajt.

INPO ngritë shqetësimin për shkeljet ligjore që e përshkojnë këtë konkurs dhe procesin e rekrutimit të punonjësve për këto pozita. Ajo po ashtu kërkon përgjegjësi institucionale për këto shkelje dhe fton autoritetet kompetente të ndjekin për së afërmi zhvillimet rreth këtij konkursi të kundërligjshëm dhe jo transparent.