Arbëri

Kundërshtohet funksionalizimi i Emergjencës pranë një shkolle në Podujevë

Drejtoria e shkollës fillore “Enver Maloku” në Podujevë dhe përfaqësues të prindërve janë shprehur kundër funksionalizimit të Emergjencës së qytetit, në një objekt shumë pranë kësaj shkolle. Sipas tyre, alarmet e autoambulancave dhe pamjet e pacientëve aty mund të jenë trishtuese për nxënësit. Ndërkohë, zyrtarët komunalë kanë thënë se këtij objekti, që është ndërtuar në kohën e ish-pushtetit, do t’i ndërrohet destinimi dhe vitin e ardhshëm do ta ndërtojnë një objekt tjetër për Emergjencë. Por edhe vendi ku është planifikuar nga pushteti i ri është afër një shkolle

I papranueshëm po konsiderohet funksionalizimi i Emergjencës së qytetit të Podujevës i ndërtuar vetëm disa metra afër shkollës fillore “Enver Maloku”. Drejtues të shkollës dhe përfaqësues të prindërve kanë thënë se alarmet e autoambulancave dhe pamjet e pacientëve mund të jenë trishtuese për nxënësit që vijojnë mësimin aty. Ata kanë kërkuar që këtij objekti t’i ndërrohet destinimi para se të funksionalizohet si Emergjencë.

Kryetarja e Këshillit të Prindërve në shkollën “Enver Maloku”, Fatmire Rekaliu, ka thënë se nuk do ta dërgojë fëmijën e saj në këtë shkollë nëse funksionalizohet Emergjenca aty.

“Ne nuk jemi të pajtimit me këtë Emergjencë se na i kemi fëmijët këtu dhe i kemi të vegjël. Fëmija im kur të dëgjon ndihmën e shpejtë, ai nuk do të vijë në këtë shkollë se mund të jetë trishtim shumë i madh. Kështu që ai mundet edhe me u ndalë prej shkollës. Kështu që ne nuk jemi të pajtimit me këtë spital (Emergjencë v.j.)”, është shprehur Fatmire Rekaliu. “Vallahi unë për vete fëmijën tim nuk e sjell në këtë shkollë, se s’kam llogari p.sh. me marrë fëmija im trauma duke parë këtu gjithçfarë njeriu që e sjellin këtu në spital. S’është e drejtë. Kisha thanë me bo ndaj ndërrim tjetër, ama Emergjencë jo”.

Ndërsa kryetari i Këshillit Drejtues të shkollës, Ramadan Zeqiri, thotë se Emergjenca ka mundur të ndërtohet mbrapa shkollës.

“Po, kurkush s’ka pyetë askënd dhe e kanë vendosë. Problemi më së tepërmi është për fëmijët e shkollës këtu, vijnë Emergjenca me u ndërtu në oborr të shkollës këtu prej parashkollorëve deri në klasën e nëntë, shohin gjithçka, njerëz të therur, të vrarë, të plagosur, gjithçka mundet me ndodhë, sirenat, edhe me mësu këtu nuk munden. E ne si prind kishim thanë që me përdorë për diçka tjetër e jo si Emergjencë”.

Ndërkohë, Agim Hamza, drejtor i shkollës “Enver Maloku”, ka thënë se nuk janë pyetur fare nga ish-pushteti kur ka filluar ndërtimi i Emergjencës këtu. Ai thotë se edhe Qendra e stacionit të veterinarisë, që ka qenë më herët aty para ndërtimit të Emergjencës, ka qenë gabim.

“Këtë objekt nuk e ka ndërtuar pushteti aktual i Komunës së Podujevës, por është ndërtuar nga ish-pushteti i Komunës dhe ne si drejtori e shkollës fare nuk jemi konsultuar për këtë çështje. Që nga fillimi ky objekt nuk ka qenë në destinacionin e duhur. Paraprakisht ka qenë Qendër e stacionit të veterinarisë, që ka qenë shumë qesharake të jetë në oborrin e shkollës një qendër e tillë, të bëhen shërbime të tilla. Pastaj është ndërruar destinacioni edhe është shndërruar në objekt, po thuhet se është objekt i Emergjencës”, ka deklaruar Agim Hamza. “Ky mund çkado tjetër përpos objekt i Emergjencës se vërtet fëmijët tonë këtu duke pas parasysh që janë që nga mosha 0-4 vjeçare e deri në klasën e nëntë, dhe vërtetë, nëse një alarm i tillë, një rast i tillë, se dihet çfarë paraqiten në Emergjencë, tërë ditën apo tërë javën ai fëmijë nuk do të jetë në gjendje që ta vazhdojë procesin mësimor”.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Driton Veliu, ka theksuar se lokacioni i atij objekti për Emergjencë është i gabuar, për arsye se, sipas tij, është afër disa shkollave, është ndërtuar në rrugë dytësore dhe është në fund të qytetit. Ai ka thënë se janë në fazën e projektimit të objektit të ri të Emergjencës, të cilin do ta financojë shteti i Katarit. Megjithatë, edhe vendi ku është vendosur nga qeveria e re është afër një shkolle tjetër, ajo “Xheladin Rekaliu”.

“Ne me marrjen e qeverisë së re kemi vendosur që këtë objekt ta destinojmë për shërbime të tjera, konkretisht kemi vendosur që disa shërbime të zhvendosen atje, kurse objekti i ri i Emergjencës do të ndërtohet afër shkollës ‘Xheladin Rekaliu’”, është shprehur Driton Veliu. “Jo, për dallim prej rastit në fjalë, lokacioni për të cilin jemi përcaktuar për ta ndërtuar një Emergjencë moderne, një prej më të mirave në rajon është në fakt tek oborri i shkollës, mirëpo e ka hyrjen krejt tjetër. D.m.th. nuk lidhet asgjë me hyrjen e nxënësve të shkollës edhe ne do ta bëjmë një ndarje, kurse hyrja e këtij objekti të ri shëndetësor do të jetë kah rruga kryesore, konkretisht kah autorruga”.

Veliu ka deklaruar se objekti aktual i Emergjencës pas vendosjes së ngrohjes dhe inventarit do t’i ndërrohet destinimi për disa shërbime të tjera shëndetësore, ndërsa objekti tjetër i Emergjencës, i cili do të kushtojë rreth 1 milion euro, do të ndërtohet vitin e ardhshëm.

© KOHA Ditore