Arbëri

Shumica e bizneseve familjare në Rugovë edhe kësaj vere me pak vizitorë

“Vizitorët e kanë rezervuar për tri-katër net, e një javë, por kur e kanë marrë vesh që s’ka rrymë janë kthye e janë shkua. Disa kanë dashtë me dalë këtu, por për shkak të rrugës, kur janë dalë në gjysmë të saj, kanë thënë s’mund t’dalim dhe janë kthyer, se rruga shumë e keqe me gropa, kerret e mira pritojnë me i shti në rrugë të këqija”, tregon Xhemë Demaj, pronar i disa bujtinave në fshatin Bogë, dy prej arsyeve që kanë ndikuar në numrin e vogël të mysafirëve në Rugovë

Masat kundër pandemisë vitin e kaluar i kishte hedhur në gjunjë shumicën e bizneseve familjare në fshatrat e Rugovës, të cilat kishin besuar e shpresuar se sezoni i sivjetmë veror do t’i rikthjellte, pas ardhjes së mërgimtarëve në numër aq të madh si asnjë verë më parë. Por u doli ndryshe. As heqja pothuajse e të gjitha masave kundër pandemisë gjatë kësaj vere nuk ka ndryshuar aq shumë situatën me vizitorë në këtë trevë. Pavarësisht se nuk pati mbyllje dhe masat kundër pandemisë askush më nuk i zbatonte, sërish edhe kësaj vere, siç tregojnë pronarët e bizneseve familjare në Rugovë, kanë pasur pak mysafirë.

Në numrin e pakët të vizitorëve, sidomos në bizneset familjare në fshatrat e epërme dhe fshatin turistik në Bogë, shkaktarë, sipas tyre, kanë qenë rruga kryesore e dëmtuar dhe mungesa e rrymës, që i kanë mbajtur larg shumicën e vizitorëve, shumë prej të cilëve janë kthyer prapa edhe pse kishin bërë rezervime.

“Vizitorët e kanë rezervuar për tri-katër net, e një javë, por kur e kanë marrë vesh që s’ka rrymë janë kthye e janë shkua. Disa kanë dashtë me dalë këtu, por për shkak të rrugës, kur janë dalë në gjysmë të rrugës kanë thënë s’mund t’dalim dhe janë kthyer, se rruga shumë e keqe me gropa, kerret e mira pritojnë me i shti në rrugë të këqija”, thotë Xhemë Demaj, pronar i disa bujtinave në fshatin Bogë.

Problemet e furnizimit me energji elektrike në Rugovë janë të mëdha që nga paslufta. Për shumë vjet dimri ishte më i ashpër me mungesë të rrymës, por tash problemet me rrymë, siç tregojnë rugovasit, po janë edhe verës, për shkak të infrastrukturës së vjetruar të rrjetit elektrik. Kurse rruga kryesore e Rugovës, nga Peja deri në Kuqishtë, që është segment rrugor i magjistrales M9 dhe në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës, vitet e kaluara çdoherë pas daljes nga dimri është riparuar para fillimit të sezonit veror. Ndërsa sivjet riparimi i saj nga operatori i kontraktuar ka nisur para disa ditësh, në fund të sezonit, kur mërgimtarët veç kanë nisur të kthehen. Dhe kjo ka ndodhur për shkak se Ministria e Infrastrukturës e kishte anuluar në muajin maj tenderin për mirëmbajtje trevjeçare verore dhe dimërore të rrugëve nacionale e rajonale, duke shpallur pastaj tenderin e ri me kohëzgjatje të mirëmbajtjes vetëm për një vit.

Kjo, siç thonë rugovasit, iu ka kushtuar shtrenjtë shumicës së bizneseve familjare në këtë trevë.

Mirëpo, sipas rugovasve, nuk kanë qenë vetëm rryma dhe rruga arsye pse vizitorët sivjet nuk kanë vërshuar këtë trevë ashtu siç kanë shpresuar rugovasit. Për mungesën e vizitorëve pronarët e bizneseve në Rugovë pa faj nuk e lënë as Komunën, me pretendimin se qëllimet kanë qenë që bizneseve në qytete t’u krijohen më tepër fitime.

“Vjet kemi qenë të bllokuar nga pandemia dhe pasi u lirua pak bllokimi patëm pak punë. T’ ju them të vërtetën, ky vit ishte jashtë pritjeve tona. Mendoj që vjet është punuar ma mirë edhe pse ka qenë pandemia, në krahasim me sivjet, kur kemi menduar dhe kemi besuar që mërgimtarët dhe vizitorët tjerë që kanë ardhur në Pejë e Kosovë do ta vizitojnë edhe fshatin turistik Bogë dhe fshatrat e tjera në Rugovë. Pritjet tona sivjet nuk janë ashtu siç i kemi paraparë. Mendoj se përveç rrugës dhe rrymës, faktor kyç kanë qenë edhe politikat pak a shumë komunale që, sipas meje, mendoj që krejt qëllimi ka qenë që vizitorët pak a shumë t’i koncentrojnë nëpër qytete”, thotë Ylber Rudi, pronar i një biznesi familjar në Bogë.

Komunën e Pejës pa faj nuk e lë as kryetari i bashkësisë lokale “Rugova 2”, Flamur Rexhbogaj, që mbulon shtatë fshatrat e epërme të Rugovës, e cila ka 14 fshatra. Sipas tij, Komuna po investon në ndërtimin e rrugëve lokale në Rugovës, por nuk ka pasur asnjë strategji për t’i orientuar në Rugovë mërgimtarët e shumtë.

“Komuna nuk ka pasur një strategji e cila do t’i informonte turistët, apo do t’i shpërndante ata nëpërmjet informacionit të tyre nëpër trevën e Rugovës për t’i parë nga afër bukuritë e kësaj natyre. Pra nuk ka pasur një strategji sipas asaj që kamë parë, as në vebfaqen e Komunës, por as nuk kemi pasur një takim më të cilin do të ishin të informuar mërgimtarët rreth turizmit në Rugovë”, thotë Rexhbogaj.

Mirëpo një pretendim të tillë e konsideron të padrejtë drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxhiri, sipas së cilës Komuna ka strategjinë e saj për zhvillimin e turizmit, duke i përmendur dy qendrat e informimit për turistë, në të cilat ka edhe materiale informuese për ofertat turistike edhe në Rugovë. Por, sipas saj, qendra e informimit për turistë nuk mund t’i obligojë vizitorët se kah të shkojnë.

“Në fakt strategjia ekziston. Dy qendrat informative për turisë janë hapur gjithë kohës dhe në këto qendra kanë edhe materiale informuese për ofertat turistike në Komunën e Pejës, përfshirë edhe Rugovën. Ka broshura dhe janë të informuar të gjithë. Dhe për ne kemi bërë maksimumin, që të gjithë edhe mërgimtarët, edhe të huajt të jenë të informuar për të gjitha aktivitetet dhe ofertat në Rugovë. Por ne nuk mund t’i detyrojmë apo obligojmë vizitorët se ku me shkua. Ne jemi të obliguar që t’i informojmë për aktivitetet ekzistuese dhe ata zgjedhin sipas dëshirës së tyre se çka ju konvenon, për çka kanë ardhë”, thotë Muhaxhiri.

Ajo i kupton mllefet e rugovase dhe të drejtën e tyre të shprehin edhe ankesat. “Në fakt banorët e Rugovës kanë të drejtën e tyre të ankohen, ndërsa ne jemi ata që duhet të identifikojmë atë problem, në rast se ka më të vërtetë problem. Nëse ka, do të gjejmë zgjidhje sa më të mirë për ta”, tha Muhaxheri. Dy muajt e fundit në qendrën informimit për turistë, informata për ofertat turistike kanë kërkuar rreth 3 mijë vizitorë të huaj dhe me qindra mërgimtarë. Interesimi i mërgimtarëve për ofertat turistike në këtë komunë, sipas shefit të Sektorit të Turizmit, Virtyt Morina, është një shenjë e mirë, për arsye se ata tash kërkojnë informata për ofertat turistike dhe aktivitete në këtë komunë e jo vetëm që të dalin e të sillën në korzo kur vijnë në pushime.