Arbëri

Mungesa e një ure mbi Lumëbardhë i ka bllokuar banorët e Kotradiqit të Pejës

Descriptive Text

Pejë, 1 mars – Fshati Kotradiq i Pejës është i vetmi në mesin e 10 fshatrave të kësaj komune nëpër të cilat kalon Lumëbardhi i Deçanit e që nuk ka urë mbi të.

Mungesa e kësaj ure vitet e fundit është duke u shkaktuar probleme të mëdha banorëve të këtij fshati, të cilët një pjesë të madhe të tokave të tyre i kanë andej lumit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të dy brigjet deri para 4 vjetësh kanë qenë në një nivel dhe disi kanë arritur të kalojnë edhe me bagëti andej, ndonëse me shumë rreziqe. Por rritja e Lumëbardhit e ka bartur tërë rërën dhe e ka thelluar shtratin në atë nivel saqë e ka bërë të pamundur të kalohet andej lumit.

“I kemi andej lumit rreth 70 hektarë tokë tonat dhe kur duam të dalim andej duhet të shkojmë nëpër fshatin Bërliq apo anën tjetër nëpër fshatin Vranoc, që na bie deri në 10 kilometra rreth të shkojmë, sepse këtu nuk ka mundësi më të kalohet”, thotë Mujë Dervishaj, banor i këtij fshati. Ai thotë se deri tash kot u janë drejtuar komunës disa herë për ta ndërtuar këtë urë.

“I kemi rreth 1500 krerë dele i tërë fshati dhe sa herë që i kemi kaluar bagëtinë andej lumi, uji na i ka mbytur disa prej tyre”, tregon ai rreziqet dhe problemet më të cilat po përballen banorët në mungesë të urës.

Përveç problemeve me kalimin anën tjetër të lumit për të punuar tokat, ky fshat po përballet edhe me problemin e varrimit të të vdekurve, pasi varrezat e vjetra, siç thonë banorët, janë stërmbushur. Kur u vdes dikush, ata thonë se duhet t’i nxjerrin eshtrat e dikujt tjetër dhe ta varrosim njeriun që ka vdekur e pastaj te këmbët e tij i vendosin ato eshtra.

Drejtuesit e Komunës së Pejës i kanë parasysh vështirësitë më të cilat po përballen banorët e këtij fshati, por megjithatë për sivjet ka pak shpresë që do të ndërtohet ura... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.