Arbëri

Nisma ende s’e ka emrin e kandidatit në komunën e vetme që udhëheq

Nisma Socialdemokrate nuk po e bën publik emrin e kandidatit të saj për kryetar në bastionin e saj, në Malishevë, deri në momentin e fundit. Hajdin Berisha nga Kryesia e kësaj partie të premten ka thënë për KOHËN se tash për tash nuk dihet emri i kandidatit as nga vet kryesia e partisë.

"Besoj që pasnesër do të dihet emri i kandidatit tonë. Tash për tash e kemi bërë një listë të shkëlqyeshme për anëtarë të Kuvendit Komunal, ndërsa kandidatin për kryetar ende nuk e kemi përcaktuar", ka thënë Berisha.

Ajo që dihet është se kryetari i komunës për dy mandate i kësaj partie, Ragip Begaj nuk do të mund të kandidohet për shkak të problemeve serioze shëndetësore. Për rrjedhojë në listën e pretenduesve janë disa emra, vetë nënkryetari aktual i komunës, Hajdin Berisha i cili ka kohë që e luan rolin e kryetarit faktik, ish-deputeti Enver Hoti, ish-ministrat, e zëvendësministrat, Vesel Krasniqi, Arbëresha Krasniqi, e Çerkin Dukolli. Por vetë Berisha nuk ka mundur të specifikojë asnjë emër, as veten e tij.

Në rast se Nisma Socialdemokrate humb edhe Malishevën do të mbetet pa asnjë udhëheqje në nivel vendi. Në zgjedhjet e parlamentare të 14 shkurtit partia e Fatmir Limajt nuk ia doli ta kalonte pragun zgjedhor.