Arbëri

KSHMS në Gjilan miratoi projektin trevjeçar të banimit social

Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) në Gjilan ka miratuar të mërkurën Programin komunal trevjeçar për banim social (2018-2020), i cili synon zbutjen e këtij problemi mjaft të ndjeshëm përmes buxhetit të komunës, qeverisë dhe donatorëve.

Kryesuesi i kësaj trupe komunale, dr Jashar Jashari, e ka mirëpritur programin, duke thënë se asnjëherë nuk është vonë për të bërë punë të mira për qytetarët e aq më tepër për kategoritë që nuk kanë mundësi ta zgjidhin vetë çështjen e banimit, transmeton Koha.net.

Opozita (PDK e VV) e ka vlerësuar të vonuar këtë program dhe nuk e kanë votuar atë.

parasheh që në tri vitet e ardhshme të ndihmohen 90 familje të pastrehë, përmes ndërtimit individual, banimit kolektiv dhe bonusit në pagesën e qirasë. Shpresohet që shumë shpejt të ndryshohet edhe ligji për banim social, i cili tani për tani nuk lejon investime në pronën private.

Në dy-tri vitet e fundit, Komuna e Gjilanit ka ndërtuar mbi 50 shtëpi të reja për qytetarët që nuk e kishin të zgjidhur strehimin, mbi 40 të tjera i ka rinovuar, ndërkohë që një pjese tjetër ua ka kompensuar qiranë e banimit. Megjithatë, nevojat për banim social, mbeten të mëdha dhe aktualisht janë të evidentuara 573 raste.

“Do të mundohemi të jemi afër këtyre familjeve, për t`i ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së banimit në një periudhë të caktuar”, ka thënë Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, duke nënvizuar se Komuna nuk mund t`ia dalë e vetme këtij problemi, për të cilin nevojiten mbi 5 milionë euro.

Mirvete Kurteshi (VV) e ka vlerësuar të vonuar projektin, duke thënë se punët e mira duhet të nisin në fillim të mandatit të një qeverisje dhe jo në fund të tij, ndërsa Agron Leka (PDK) tha se do të ishte mirë që projektet e tilla të garantohen nga buxheti i shtetit dhe jo të bazohen te donatorët, të cilët, nëse është e nevojshme, mund të jenë vetëm faktorë ndihmës në realizimin e këtij programi.

e LDK, AAK e PD i dhanë përkrahje projektit trevjeçar të Komunës së Gjilanit për zgjidhjen e problemit të banimit social.