Arbëri

Lladrovci s’komenton rrezikun që ta fusë Drenasin në borxh, bën foto me parullat e protestuesve

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se e ka respektuar Ligjin për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës kur ka firmosur kontratën që t’ia japë në shfrytëzim një pronë kompanisë “IP-Kos”.

KOHA ditë më parë raportoi se për pronën në fjalë, Gjykata e Apelit ia ka njohur të drejtën e kompensimit familjes Osmani. Si rrjedhojë, kontrata rrezikon që ta fusë në borxh Komunën e Drenasit në rreth katër milionë euro. Gjykata Themelore ka konfirmuar se, aktualisht, në proces është vlerësimi i kësaj paluajtshmërie, që ndodhet në pjesën më të frekuentuar të Drenasit.

Të mërkurën, pjesëtarë të familjes Osmani protestuan para pronës në fjalë. Ata vunë parulla protestuese, e këto i ka shfrytëzuar kryetari Lladrovci për t’u fotografuar.

Lladrovci, në një postim në Facebook, ka thënë se komuna dhe ai si kryetar “respektojmë secilën formë të reagimit qytetar apo protestave. Gjithashtu, dua ta ripërsëris se prona është e shenjtë, është e paprekshme, andaj, komuna dhe unë si kryetar, i qëndrojmë besnik këtij parimi me të gjitha mjetet ligjore”.

“Ashtu siç e kemi kujdes ruajtjen e pronës së komunës dhe shfrytëzimin e saj me ligj. Dua të informoj qytetarët se të gjitha procedurat e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim që janë dhënë fundvitin e kaluar, kanë qenë transparente dhe në përputhje të plotë me Ligjin nr.06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës dhe Rregullores (QRK) NR.09/2020 Për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Vendimet e Kuvendit për pronat e deritashme kanë marrë vlerësimin e ligjshmërisë nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Angazhimi im i mëtejmë i kthimit të pronës së uzurpuar komunale, vazhdon. Ashtu siç është e drejtë e patjetërsueshme e drejta për pronë dhe për protestë, njëkohësisht është i dënueshëm kërcënimi, mashtrimi dhe shpifja”, ka shkruar ai.