Arbëri

Opozita bojkoton kërkesën e Ekzekutivit të Prizrenit për çerdhen publike

Kërkesa e Ekzekutivit të Prizrenit për bartjen e harmonizimin e kodeve nga programi fillor në atë parafillor, si dhe ndarjeve buxhetore për funksionalizimin e plotë të çerdhes publike, nuk ka marrë aprovimin e kuvendarëve. Anëtarët e Kuvendit të Komunës nga radhët e opozitës kanë braktisur seancën e jashtëzakonshme të thirrur për këtë çështje, pasi paraprakisht kanë shprehur mospajtimin për miratimin e një vendimi të tillë.

Propozim-vendimi për harmonizimin e numrit të stafit dhe ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, brenda Drejtorisë së Arsimit dhe Shkencës në Komunën e Prizrenit është prezantuar nga drejtoresha, Xhemile Thaçi-Vezgishi, e cila ka pohuar se “me votimin e kësaj pike jo vetëm që miratohen procedurat ligjore, por edhe formalizohen pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e operative të çerdhes së parë publike në Prizren".

Ajo ka bërë të ditur se Komuna e Prizrenit është ndër komunat e pakta që nuk ka nivel të arsimit parafillor në sistemin buxhetor, dhe ka sqaruar se Ministria e Financave ka kërkuar që ky harmonizim të kalojë përmes Kuvendit të Komunës, “në mënyrë që niveli i arsimit parafillor të funksionojë si nënprogram i arsimit, në aspektin buxhetor”.

Sipas saj, me këtë aprovim, do të përmbyllet procesi për funksionalizimin e institucionit parafillor, i cili do të plotësojë nevojat e komunitetit, si dhe do të rregullojë dhe formalizojë pagat e 19 anëtarëve të stafit të angazhuar të çerdhes publike.

Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga këshilltarët opozitarë. Simir Krasniqi i PDK-së ka theksuar se Ekzekutivi po përpiqet që përgjegjësinë t’ia hedh KK-së, marrë parasysh faktin se punëtorët e çerdhes janë pranuar vjet me konkursin e shpallur nga qeveria komunale. Sipas tij, nëse një gjë e tillë është ligjore, atëherë kjo mund të kryhet edhe me vendimmarrjen e kryetarit të Komunës.

Ilir Baldedaj i AAK-së ka theksuar se të gjitha këto është dashur të planifikohen me kohë, dhe jo të shtohen problemet në DKA, që sipas tij janë të panumërta.

Haziz Hodaj i LDK-së ka deklaruar se nuk e ka të qartë se çfarë po kërkohet në këtë rast nga kuvendarët. Ai ka kritikuar praktikat e DKA-së gjatë këtij mandati, duke shprehur qëndrimin se nuk ka pasur konkurs pa aferë dhe që është përmbyllur brenda afateve ligjore.

Shukri Quni i Nismës ka pohuar se në KK asnjëherë nuk ka pas rast të tillë më parë. “Ju e keni hapur konkursin, pse tani barrën na e ngarkoni neve, një barrë që nuk na takon”, është shprehur ai.

Drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi-Vezgishi ka shpjeguar se një kërkesë e tillë vjen për herë të parë para kuvendarëve, meqë Prizreni nuk ka pas nivel parafillor në sistemin buxhetor. Në të njëjtën kohë pa pohuar se Komuna ka kërkuar kode buxhetore nga ministria për edukatore dhe nuk i ka marrë, prandaj dhe ka provuar forma të ndryshme për funksionalizimin e çerdhes publike.

“Nga MF-ja është kërkuar që vendimi të kalojë në KK”, ka thënë ajo.

Mirëpo Baldedaj i AAK-së ka shprehur bindjen se kuvendarët kot janë ftuar në seancë të jashtëzakonshme. “Pse me votua kur nuk jemi kompetentë. Për këtë është Ekzekutivi”, ka deklaruar ai.

Hodaj i LDK-së ka reaguar duke e quajtur konkursin e vitit të kaluar të jashtëligjshëm. “Tani kërkoni legjitimimin e atij konkursi të jashtëligjshëm me një vendim të KK-së. Po thoni se nuk ka pas kod parafillor, atëherë si u hap konkursi për edukatore?”, ka shtruar pyetjen ai.

Image

Kryetari Mytaher Haskuka para kuvendarëve ka theksuar se bëhet fjalë për çështje teknike dhe se ministria ka kërkuar që vendimi të kalojë në KK. Gjatë debatit sqarime për aspektin ligjor ka tentuar të ofrojë edhe drejtori i Administratës, por gjatë diskutimit të tij, opozitarët kanë braktisur seancën e jashtëzakonshme të KK-së.

Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj ka konstatuar se të pranishëm janë 16 anëtarë, gjë që sipas tij nuk mjafton për vendimmarrje.

Çerdhja e parë publike në Prizren është përuruar në fillim të këtij muaji, gjatë një ceremonie ku kanë marrë pjesë kryeministri, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Në njoftimin e Komunës së Prizrenit nënvizohej se “studimet tregojnë që fëmijët që kanë qasje në edukim të hershëm janë më të suksesshëm në arsim dhe pastaj edhe në punësim dhe në jetë”.

“Kjo e drejtë, fëmijëve të Prizrenit iu ishte mohuar nga qeveritë e kaluara për më shumë se 20 vite, ndërkaq tanimë ne kemi arritur që t’i eliminojmë barrierat e bllokadat e shumta që na janë paraqitur që nga viti 2018 dhe ta vëmë në funksion këtë çerdhe, që do të ofrojë arsim cilësor për 240 fëmijë në 12 paralele dhe tri gjuhë, në një hapësirë prej mbi 1800 m2”, thuhej në njoftim.