Arbëri

Qe gjashtë ditë familja Shehu nga Kaçaniku strehohet në korridor të ndërtesës

Prej gjashtë ditësh familja Shehu nga Kaçaniku po vazhdon të përballet me mungesë të strehimit pasi që pronari legjitim i banesës në të cilën jetoi për 22 vjet, ishte kthyer nga Serbia dhe e kishte shitur atë. Ndërkaq, kjo familje dyanëtarëshe që nga vikendi i kaluar po e kalon natën nëpër korridore të ndërtesës.

Ata po vazhdojnë të kërkojnë strehim të përkohshëm nga institucionet dhe organizatat e bamirësisë me arsyetim se deri më tash nuk kanë gjetur mbështetje. KOHA, ditë më parë ka raportuar lidhur me këtë ngjarje.

Gylere Shehu ka thënë se ende askush nuk i ka strehuar, andaj ka kërkuar nga shoqatat që t’i dalin në ndihmë derisa nëna e saj vuan prej disa sëmundjeve dhe nuk po arrin ta përballojë këtë vuajtje.

“Tashmë e dini se pronari nga komuniteti serb është kthyer dhe e ka shitur banesën në të cilën ne kemi jetuar 22 vjet. Jemi rast social dhe që nga dita e diel ende po e kalojmë natën nëpër korridore të ndërtesës. Kemi kontaktuar me shumë organizata bamirëse, por deri tash askush nuk ka mundur të na sigurojë strehim”, ka thënë Shehu.

Ajo ka shtuar se as komuna nuk po mund të sigurojë strehim.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, në një intervistë për KOHËN pati sqaruar se kjo familje mund të bëhet me banesë pasi të përfundojë objekti social i cili është në ndërtim e sipër, ndërkaq për ndihma ushqimore është duke u përkrahur vazhdimisht. Ilazi e ka sugjeruar këtë familje që të gjejë forma të tjera për strehim derisa të finalizohet objekti social.

“Ajo familje ka kërkuar mbështetje për strehim nga Komuna e Kaçanikut, por aktualisht nuk kemi pasur mundësi t’i bëjmë zgjidhje të shpejtë, andaj e kemi sugjeruar që të gjejnë ndonjë mënyrë tjetër për të kërkuar strehim. Ne i kemi dhënë përgjigje dhe prapë po i themi se jemi në përfundim të objektit për banim social dhe po shpresojmë që është e vetmja formë ndoshta si komunë që mund t’i ofrojmë qytetarëve strehim”, pati thënë Ilazi.

{gallery}