Arbëri

Vaksinohen 2.200 persona në Podujevë mbi moshën 65 vjeçare

Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë vlerësuar se situata me pandeminë COVID-19 po shkon drejt normalizimit. Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Driton Veliu, ka thënë se vetëm 16 raste janë aktive me koronavirus në këtë komunë. Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), Veliu ka theksuar se deri tash janë vaksinuar 2.200 perosna mbi moshën 65 vjeçare.

“Lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19 raportoi drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu, i cili tha se deri tani në Komunën e Podujevës kemi 4.515 të prekur me Covid-19, prej tyre 4.438 janë shëruar, 16 janë raste aktive, ndërsa 61 kanë humbur jetën. Ai tha se situata po shkon drejt përmirësimit, ndërsa komuna po vazhdon me planin e vaksinimit, ku deri tani janë vaksinuar mbi 2, 200 persona të moshës mbi 65 vjeçare”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

Sipas njoftimit, tashmë janë bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e vaksinimit masiv, i cili pritet të fillojë javën e ardhshme, ku qendër e vaksinimit është caktuar salla e sporteve e shkollës “Xheladin Rekaliu” në Podujevë.

Ndërkohë komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Isak Ejupi, sipas këtij njoftimi, ka thënë se në kuadër të angazhimeve për respektimin e masave anti-COVID deri më tani janë shqiptuar 2,264 gjoba, që kanë të bëjnë me mosrespektim të masave kufizuese dhe orarit të lëvizjes.

“Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Isak Ejupi, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe stabile.

Ndërsa, si shqetësuese përmendi faktin se kemi rritje të numrit të veprave penale, veçmas rasteve të dhunës në familje”, thuhet tutje në njoftim. “Lidhur me gjendjen e sigurisë në shkolla raportoi drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, i cili tha se në të gjitha shkollat procesi mësimor është duke u zhvilluar normalisht dhe se DKA-ja është duhe u angazhuar që në procesin mësimor të sigurohet cilësi, llogaridhënie dhe disiplinë Ai tha se me qëllim të rritjes së sigurisë po bëhen edhe investime në infrastrukturën shkollore, ndërsa përmendi investimet e bëra në renovimin e objekteve shkollore, rrethojat e oborreve si dhe vendosjen e kamerave të sigurisë”.