Arbëri

Gjilani nderon me mirënjohje bashkëqytetarët për arritje në shkencat ekzakte

Me rastin e festave të lirisë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë sot mirënjohje për të arriturat më të mëdha të gjilanasve në nivel republikan, regjional dhe ndërkombëtar, kryesisht në shkencat e matematikës.

Për kontributin e madh në nxjerrjen e kuadro të matematikanëve është nderuar profesor Festim Shkodra, përderisa Fadil Shabani për kontributin e tij të lartë në menaxhimin e shkollës fillore “Nazim Hikmet” në Dobërçan, transmeton Koha.net.

Sabina Hazirit, kirurge nga Gjilani, e cila jeton dhe punon në Zvicër, i është dhënë mirënjohje për mbështetjen e dhënë shëndetësisë së Gjilanit, duke e sjellë si donacion një sallë operacioni të fjalës së fundit nga Zvicra.

“Kjo kirurge e re është fytyra më e mirë dhe më e pastër e gjilanases që jeton dhe punon në Zvicër”, tha Haziri.

Ndërkaq, për suksesin e jashtëzakonshëm në shkencat e matematikës janë nderuar studentët të cilët po shkëlqejnë në universitetet botërore: Doruntina Sylejmani, bursiste e Komunës së Gjilanit dhe e qeverisë amerikane (Princeton University), Hamdi Dervodeli, bursist i Komunës së Gjilanit dhe i Qeverisë japoneze (Kyoto University), Gëzim Ademi, bursist i Qeverisë franceze në studimet master (Université de Besançon) dhe Dorlir Ahmeti për suksesin e jashtëzakonshëm në hartimin e testeve të matematikës në garat ndërkombëtare.

Riza Syla punëtor i QPS-së është shpallur punëtori i vitit 2016/2017, sikur që është nderuar me mirënjohje edhe për kontributin e tij jetësor kushtuar asistencës sociale dhe shpërndarjes së mbështetjes sociale për shumë familje në nevojë.

Ndërkohë, kryetari Lutfi Haziri ka ndarë mirënjohje Post Mortum për veprimtarët Ilir Mustafa e Gani Hajrullahu për kontributin e jashtëzakonshëm në shërbim të atdheut.

Në fund, kryetari Haziri ka paralajmëruar se aktivitetet në kuadër të Ditëve të Lirisë përmbyllen më 24 qershor me një ceremoni të veçantë kushtuar veprimtarisë së shkrimtarit Beqir Musliu.