Arbëri

Çerdhja për fëmijë bëhet çerdhe e qenve endacakë

Descriptive Text

Dy dekada kanë kaluar prejse ishte ndërtuar një objekt i paraparë për çerdhe në Komunën e Podujevës. Por, përveçqë nuk është funksionalizuar kurrë, ky objekt ka filluar edhe të shkatërrohet. Para dy vjetësh asaj i është djegur edhe kulmi, dhe pos që nuk kujdeset askush për të, ajo tashmë është bërë çerdhe e qenve endacakë. Qeveria e re komunale thotë se do të ndajë shumën prej 11 mijë eurove për meremetimin e saj

I pafunksionalizuar ka mbetur për 20 vjet objekti që ishte paraparë për çerdhe në Komunën e Podujevës. I ndërtuar menjëherë pas luftës nga UFORK-u, ky objekt mbeti në gjysmë për shkak edhe të një kontesti gjyqësor ndërmjet punëkryesit dhe financuesit. Njëri akuzohej për vonesa në punë e tjetri për mospagesë. Ndërkohë që, në vitin 2019 këtij objekti i është djegur edhe kulmi dhe ai është pothuajse buzë shkatërrimit.

Banorët e lagjes afër Shkollës së Mesme Teknike, ku edhe është ndërtuar kjo çerdhe, shprehen të habitur se si pas kaq shumë vjetësh ky objekt nuk u funksionalizua asnjëherë. Ata thonë se përveçqë nuk kanë mundur t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe, tash ata janë edhe në rrezik nga qentë endacakë, pasi ky objekt është bërë çerdhe e tyre. Gëzim Shala, i cili e ka shtëpinë përballë këtij objekti, thotë se kjo çerdhe nuk është hapur për shkak të neglizhencës së zyrtarëve komunalë.

“Unë djalin tim që është në klasën e dhjetë kur ka lindur kam mendua ta dërgoj në çerdhe këtu, aq ka qenë në vlug puna. Tash djali u rrit dhe çerdhja kurrkund. Është bërë banuese e qenve, rrezikohet prej tyre çdo banor, jo vetëm unë që e kam shtëpinë afër. Këtu ka shkolla të mesme, kalimtarë të rastit, nxënës..., po na rrezikohet edhe jeta. Më herët ky objekt edhe është djegur dhe unë si qytetar kam mendua se është zjarrvënie e qëllimtë, edhe kurrgjë nuk është ndërmarrë më, siç po shihet”, është shprehur ky banor.

Muhamet Metolli, një tjetër banor, thotë se do të ishte i lumtur sikur të kishte mundësi t’i dërgonte nipat e mbesat në këtë çerdhe.

“Unë e di që pas luftës ka filluar të ndërtohet, por nuk është funksionalizuar asnjëherë, kemi nevojë. Kështu që i mbetet qeverisë komunale të ndërmarrë hapa dhe ta funksionalizojë këtë çerdhe. Unë i kam edhe nipat edhe mbesat, kam pasë dëshirë që me i sjellë nesër këtu. Kështu që presim ndoshta ishalla funksionalizohet edhe fillon punën. Edhe besoj që ka me u mbush ky vend, kjo çerdhe me fëmijë”, ka thënë Muhamet Metolli.

Image

Ky banor thotë se fëmijët e tij nuk i ka dërguar fare në çerdhe, pasi kopshtet e tjera i kanë larg nga këtu.

“Nuk i kemi çu, se të vetmet çerdhe janë në atë pjesën atje te rruga e Obrançës edhe një çerdhe te xhamia, kështu që ne nuk kemi mundësi, se janë diku afër 3 kilometra larg qendra prej kësaj pjese lart ku banojmë. Edhe nuk kemi mundësi me i çu edhe për atë kanë mbetur në shtëpi”.

E Muad Potera thotë se për shkak të largësisë, një pjesë e banorëve nuk i dërgojnë fare fëmijët në çerdhet e tjera.

“Çerdhja është ndërtuar prej pas luftës, po për shkaqe çka po di politike edhe paratë që i kanë hangër nuk funksionon kjo. Për momentin është veç strehimore e qenve endacakë, këtë problem e kemi edhe mëhalla këtu. Edhe normal ish kanë një lehtësim për ne nëse kjo kish me qenë funksionale. Përderisa të gjithë duhet ta lëmë punën ose diçka keq për t’i çua fëmijët në çerdhe në qytet poshtë atje, kur e kemi këtë në derë të shtëpisë edhe është jofunksionale”, ka theksuar ky banor.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, thotë se problemet gjyqësore e kanë lënë këtë objektet jofunksional.

“Në bazë të informacioneve të cilave ne i kemi objekti i destinuar për çerdhe i cili gjendet në oborrin e Shkollës Teknike ka filluar të ndërtohet gjatë periudhës së viteve 2001-2002. Ky objekt është financuar nga UFORK-u, mirëpo fatkeqësisht nuk është funksionalizuar asnjëherë. Në bazë të informacioneve të cilat ne kemi arritur t’i sigurojmë si arsye për mosfunksionalizimin janë mosmarrëveshjet që i ka pasë kompania ndërruese me financuesin edhe pastaj zhvillimin e procedurave gjyqësore që veç kanë ndodhur”, ka thënë Marigona Lahu.

Ajo thotë se edhe gjatë fushatës elektorale kanë premtuar që në Komunën e Podujevës do të ndërtojnë një çerdhe.

“Fatkeqësisht ne e kemi trashëguar buxhetin edhe nuk është që ekziston në pozicion i lirë që do të na mundësonte ndërtimin e një çerdheje. Mirëpo në seancën e radhës së Kuvendit në bazë të bartjes buxhetore e cila vjen për shkak të mjeteve që kanë tepruar në vitin e kaluar, nga pozicioni i rregullimit të infrastrukturës shkollore shumën prej 11 mijë eurove ne do ta destinojmë për funksionalizimin e kësaj çerdheje”, ka thënë ajo.

Lahu thotë se gjatë periudhës së rishikimit të buxhetit do të mundohen të ndajnë edhe një shumë tjetër të mjeteve financiare, në mënyrë që të arrijnë ta funksionalizojmë këtë çerdhe.