Arbëri

Muajin e Bashkatdhetarëve në Gjilan e nis Duda e mbyll Naser Berisha

Descriptive Text

Muaji i Bashkatdhetarëve i cili është futur në kalendarin e aktiviteteve në Gjilan fillon të premten me koncertin e reperit të njohur gjilanas që jeton në Londër, Burim Osmani – Duda.

Lajmin e ka bërë të ditur sot kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë një konference për gazetarë.

“Duda e nis Muajin e Bashkatdhetarëve të premten. Gjatë këtyre dy muajve, do të ftohen të gjithë artistët dhe kontribuuesit nga sporti, kultura dhe nga bizneset që të jenë pjesë e aktiviteteve, ku përfshihet edhe dita e ekspozimit të veturave të gjilanasve që jetojnë në Europë, ‘Auto Show’. Kurrizi kryesor i aktiviteteve është boshti kulturor dhe artistik, që përfshinë organizimin e shfaqjeve teatrale, filmave shqip, filmave për fëmijë, i mbrëmjeve argëtuese”, tha Haziri.

Ai ka bërë të ditur se Muaji i Bashkatdhetarëve përmbyllet në fund të gushit me koncertin e madh të rockerit të njohur gjilanas që jeton në Gjermani, Naser Berisha.

Ndryshe, Haziri konfirmoi se përmbyllja e shënimit të “Ditëve të Lirisë” bëhet të mërkurën në ora 10:00, me një ceremoni të shpërndarjes së mirënjohjeve për studentët e Gjilanit, të cilët po shkëlqejnë në botë me rezultate kulminante.